Gatimet tradicionale shqiptare nuk i pëlqejmë vetëm ne, por gjejeni pak… i pëlqejnë dhe turistët e huaj!
Shef Arsen Çollakun e gjejmë në kulmin e punës, në kuzhinën e tij ndërsa po përgatit gjellë me bamje, që do t’ua servirë në drekë dhjetëra turistëve polakë e gjermanë, që po kalojnë pushimet në Royal hotel, në plazhin e Durrësit.
Gatimet me perimet e stinës, apo tavat tradicionale të trevave tona nga jugu në veri janë të preferuarat e tyre.
“Turistëve u kemi sjellë një larmishmëri me ushqime tradicionale nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare, duke futur sa më shumë prerimet e stinës. Ushqimet që kërkojnë më shumë janë ato që ne i quajmë gjellë, po themi gjellë me bamje, tavë kosi, tavë dheu“,- rhotë shef Arseni për “DurrësLajm”.
Durrësi frekuentohet nga turistë nga shumë vende evropiane e meqë preferencat ushqimore ndryshojnë goxha, menuja e bufesë së hapur është ideuar për t’i kënaqur të gjithë.
Duke nisur nga moria e sallatave, produkteve të detit, pastave, risotove e gatimeve tradicionale me bazë mishi apo peshku, përzgjedhja bëhet e vështirë.
“Ne kemi një plan javor, që përshtatet me të gjithë veganë, vegjetarianë, ata që duan të konsumojnë mishin e kuq, mishin e bardhë, gatimet tradicionale etj. D.m.th. duke u përshtatur në të gjitha format, që çdokush të gjejë veten. Ky plan javor përbëhet nga 10 asortimente të ndryshme”.
Por a ka turistë tekanjozë? Patjetër që po dhe shef Arseni na tregon arsyen.
“Turistët gjermanë janë më detajistë e striktë në kërkesat e tyre. Në stilin bufe që përdorim duan që ushqimi të jetë në temperaturën më të lartë që mund të dalë, gjë që është thuajse e pamundur.”
Pas një dreke me asortimente mjaft të larmishme, qershia mbi tortë mbetet ëmbëlsira.
Me eksperiencën e tij 10-vjeçare si shef kuzhine, Arseni e di shumë qartë se cila prej tyre i kënaq të gjithë.
“Embëlsirat tona i pëlqejnë, p.sh. sheqerparen e Dibrës e pëlqejnë shumë. Bakllavaja është pak më e njohur, por sheqerparja është e preferuara”.
Jo vetëm prej klimës perfekte, detit dhe trashëgimisë kulturore të pasur, Durrësi mbetet kryeqyteti shqiptar i turizmit.
Asi nën mëngë i hoteleve dhe restoranteve në Durrës është arti i kulinarisë.