I themeluar rreth vitit 627 p.e.s. Durrësi në ditët e sotme shtrihet mbi rrënojat antike të Epidamnit.

Sitet arkeologjike dhe historike të Durrësit që duhen vizituar patjetër:

Muret rrethuese

Muret rrethuese të qytetit janë dëshmi konkrete e rëndësisë, që Dyrrahu antik kishte në lashtësi.

Të ndërtuara në shekullin V e.s. nga perandori Anastasi I, me origjinë nga Durrësi, ato janë lehtësisht të vizitueshme nga kushdo.

Muret rrethuese janë pjesë e fortifikimit bizantin dhe i krijojnë çdo vizitori vendas apo të huaj ndjesinë se po admiron një pjesë të historisë shumë shekullore së qytetit.

Ashtu si edhe në vitin 1273, muret rrethuese nuk i shpëtuan dëmtimeve që shkaktoi tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 në Durrës. Për të dytën herë, Kulla C u shemb dhe u rindërtua me blloqet dhe materialet e shkëputura prej saj.

Kulla veneciane

Shumë pranë mureve rrethuese, kulla e bardhë me bedena, e ndërtuar në shekullin XV, është një godinë simbol e qytetit.

Pas restaurimit që përfundoi në vitin 2023, “Monumenti i kulturës”, i kategorisë I, është kthyer në qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore të qytetit përmes teknologjisë 3D.

Të dielën e fundit të çdo muaji, hyrja në të është falas.

Kulla rrethore është ndërtuar mbi një kullë të periudhës bizantine. Kulla ka diametrin 16 metra dhe lartësinë 9 metra dhe është e pajisur me 5 frëngji dhe 3 ndarje.

Ngjitja në lartësi bëhet nga brenda, me shkallë të ngushta e të pjerrta guri.

Së bashku me godinën e Bankës Tregtare, Kulla veneciane është e kudondodhur në suveniret dhe kartolinat me tematikë Durrësin.

Amfiteatri

Amfiteatri është monumenti më madhështor i Durrësit. I ndërtuar në shekullin II të e.s. dëshmon rëndësinë, që qyteti buzë Adriatikut kishte në periudhën e perandorisë romake.

Edhe pse ende i pazbuluar tërësisht, amfiteatri u ofron vizitorëve një udhëtim në antikitet, sepse dhe në ditët tona ruan origjinalitetin e mjeshtrave që e ndërtuan.

Ndërtesa në trajtë elipsi, e mbështetur pjesërisht në kodër, mbante deri në 20 mijë spektatorë, që ndiqnin ndeshjet me gladiatorët në arenën e tij.

Brenda amfiteatrit ndodhet edhe një kishë e vogël dhe një mozaik mural.

Pas shekullit V, kur ndeshjet mes gladiatorëve u ndaluan, Amfiteatri u kthye në varrezë dhe nën shkallaret e tij u ndërtuan disa kapela me afreske dhe mozaikë.

Zbulimi i amfiteatrit filloi në vitin 1966 deri në vitin 1970. Thuajse çdo vit në të kryhen ekspedita arkeologjike, që nxjerrin në dritë herë pas here thesaret që nëntoka e Durrësit vijon të ruajë në brendësi të saj.

Zbulimi i plotë i amfiteatrit, që parashikohet të realizohet përmes një projekti të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, do ta kthente këtë monument unikal të trashëgimisë kulturore shqiptare, në destinacion mbarërajonal dhe më gjerë.

Forumi bizantin

Shesh-tregu i periudhës bizantine besohet se është ndërtuar në shekullin VI e.s. dhe zinte një pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të Dyrrahut antik.

Arkitektura e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu rrethor me portik.

Teknika e ndërtimit dhe materialet e përdorura e datojnë këtë monument si bashkëkohës të ndërtimeve publike të realizuara gjatë qeverisjes së perandorëve Anastasi I dhe Justiniani.

Vizita në të është e përfshirë në të gjitha guidat turistike lokale.

Termat romake

Termat antike romake ndodhen në qendër të qytetit dhe mund të admirohen vetëm nga jashtë, pasi nuk janë të hapura për publikun.

Të zbuluara rastësisht në vitin 1960, mbi to u ndërtua Qendra Kulturore e qytetit, por pa e dëmtuar monumentin antik.

Termat ruajnë rigorozisht stilin romak të kohës, kur u ndërtuan.

Në rrënojat e termave të dikurshme ruhen dhoma e apodyteriumit (dhoma e zhveshjes) që pasohet nga tepidariumi (dhoma e djersitjes) e cila ka nën dysheme tulla hipokauste për kalimin e avullit të nxehtë.

Në drejtimin jugor është frigidariumi (dhoma me ujë të ftohtë) dhe në fund pishina. Shtrimi i dyshemesë është me pllaka mermeri, bardh e zi, në formë fushe shahu.

Kalaja e Ishmit dhe Kisha e Shna Ndout

Kalaja e Ishmit, e cila u ndërtua në shekullin XVI, është një destinacion për të mos u humbur.

Së bashku me kishën e Shën Ndout, që ka një arkitekturë romaniko-gotike të shekullit XIII, ato përbëjnë dy nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të zonës së Ishmit.

Kisha e Shën Ndout është edhe një vend peligrinazhi për banorët e zonës dhe jo vetëm për shkak të rëndësisë së saj si objekt kulti i besimit të krishterë.

Kisha iu rikthye besimtarëve dhe turistëve, falë investimit që u bë përmes programit EU4Culture, që mundësoi restaurimin e këtij monumenti të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Muzeu arkeologjik

Është muzeu më i rëndësishëm kombëtar përsa i përket ekspozimit të artefakteve që nga periudha arkaike, qytetërimi ilir e deri në mesjetën e vonë.

Aktualisht është në proces restaurimi, por do të hapet së shpejti.

Restaurimi që mundësohet nga programi EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian, synon të tërheqë në këtë muze më shumë turistë vendas dhe të huaj.

Muzeu Arkeologjik (në vendin ku ndodhet aktualisht) u përurua më 13 prill 2002, ndërsa muzeu i parë arkeologjik është hapur më 13 mars 1951.

Përgjatë viteve, ka ndryshuar disa herë vendndodhja e tij.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të shumta në godinë dhe 3 vite më pas, ndërtesa 3 katëshe iu nënshtrua restaurimit, falë një investimi të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian.

Muzeu etnografik

Godina 2 katëshe me çardak, që ndodhet në zemër të zonës historike të qytetit, u ofron vizitorëve një panoramë të zhvillimit arkitektonik të Durrësit të shekullit XIX.

Aktualisht i mbyllur, pasi i është nënshtruar restaurimit, që pritet të përfundojë në gjysmën e dytë të vitit 2025.

Në vitet ’30 të shek. XX, godina ka qenë seli e konsullatës angleze. Në Durrës ajo njihet gjithashtu si shtëpia e Aleksandër Moisiut (1879-1935), aktorit me famë botërore, i cili kaloi në qytetin bregdetar disa vite të fëmijërisë së tij.

Muzeu përbëhej nga 5 dhoma, ku në dy prej tyre ekspozoheshin dokumenta, dëshmi dhe fotografi që i përkisnin aktorit Moisiu, ndërsa në tre dhomat e tjera të muzeut ekspozoheshin veshjet tradicionale popullore dhe produktet artizanale të trevës së Durrësit dhe rrethinave.

Godina u dëmtua rëndë nga tërmeti i 5 viteve më parë dhe që nga ajo kohë qëndron e mbyllur.