Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet nëpërmjet një projekt rezolute i kërkon kuvendit dhe palës greke që të heqë ligjin e luftës.
“Duhet ta nxjerrim këtë dialog nga propaganda që të mbarojë kjo skizofreni ballkanike. Kërkesa dhe deklarata që paraqitet është juridike jo territoriale dhe i adresohet dhe shtetit fqinj për t’i dhënë shtysë qeverisë që të zgjidhet ky konflikt. Më në fund kjo deklaratë konfirmon nevojën për të zgjidhur një konflikt mes 2 popujve tanë. Ne jemi drejtuar si homolgë edhe parlamentit të Greqisë. Në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë çdo instrument ligjor. Duke vlerësuar miqësinë me popullin grek duke hequr një ligj absurd që buron nga një moment historik. Unë jam besimplotë që do i japim zgjidhje.”, u shpreh Idrizi.
Deklaratë:
Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar ato në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajonin tonë.
Duke mbajtur parasysh se dy vendet tona janë anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe në këtë kuadër bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë të përbashkët.
Duke mbajtur shënim kontributet e përbashkëta të vendeve tona në organizatat e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në rradhë të parë OSBE dhe KiE.
Duke vlerësuar kontributin e Greqisë për ecjen përpara të proceseve integruese në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe bashkëpunimin në organizatat rajonale përkatëse.
Duke mbajtur parasysh se midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë është nënshkruar “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë.”
Duke mbajtur shënim se marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhur çështjet e hapura mes vendeve tona.
Vëren se, ndryshe nga fryma e “ Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr. 2636/40, mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte;
Me synimin dhe dëshirën për të zgjidhur edhe këtë çështje të trashëguar nga një e kaluar që nuk mund të kthehet,
KUVENDI i republikës së Shqipërisë
I bindur në vullnetin e mirë të Parlamentit të Republikës së Greqisë për ti dhënë shtysë pozitive marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, duke bërë përpjekje konstruktive për të zgjidhur çdo çështje të hapur,
Fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.
Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjithashtu,
KUVENDI i republikës së Shqipërisë
I kërkon Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40, dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
I kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë Nato dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara.