Nga BUJAR QESJA
Më duhet të ripohoj, se puna ime posaçërisht kur shkruaj për njerëz të veçantë, mbështetet tek befasia, surpriza dhe dëshira. Pjesë e qytetit, kërkoj të jem aktiv kur i jepem ja kështu si tani pa interes dhe pa kushte, personazheve të ndryshme jetësore. Galeria e botimeve është e pafund dhe thellohet më tej kjo pafundësi në vijimësi. Portreti i këtij shkrimi është i njohur. Është i njohur jo nga detyrat që ka ushtruar, se sa nga cilësitë e tij. Quhet Luan Zaza.
E mësova 60-të vjetorin e lindjes së Luanit, krejt rastësisht. As nuk e dija, se me 5 korrik 2024, ky Luan i Zazajve është në jubile. Është në moment kulmor të jetës. Qamil Xhumrra, burri zotni i Durrësit, është mik i kahershëm i imi. Na patën lidhur mesi i viteve 90-të, ku “Teuta” në futboll kalonte nga sukseset e bujshme në ngërç, në emergjencë. Takonim dhe bisedonim për sportin kryesisht, por edhe për këtë qytetin tonë të lindjes.
Teksa më takon, më përmënd se do të jenë në një sofër, kur ky Luan Zaza do të shijojë 60-të vjetorin e lindjes. Zanati im ky është, të ulem dhe të rinis punën sikur të jetë shkrimi i parë. Sapo iku Qamili, i cili njihet në opinion me emrin Mili, më shkrepi në mëndje surpriza. Të shkruaj diçka për Luan Zazën. Nuk ia di biografinë. Nuk ia di as sivinë. Por orjentohem fare mirë, me cilësitë e tij që janë shumë shoqërore.
Falë zanatit që më ka mpreh intuitën dhe vëmëndjen, “gërmova” për të gjetur ndonjë foto për këtë rast fatlum të Luanit. Por shumë u çudita, apo u befasova, se ato që kërkoja tek Luani, i gjeta gjetiu, tek shokët dhe miqtë e tij. Dhe përforcova edhe njëherë bindjen, se kemi të bëjmë me një njeri, që jetën dhe kohën e kalon me njerëz. Kam takuar rrallë me Luan Zazën, por ia di vlerat dhe raportet me njerëzit. Është i njohur për qytetarinë durrsake, pasi është marrë dhe merret me punë organizative dhe shoqërore.
Ka punuar shumë vite, si drejtor i ndërmarrjes së gjelbërimit dhe tani drejton degën e Partisë Socialiste në Durrës. Këto di. Duke ruajtur fuqinë e surprizës, sonda e lapsit tim, e uli fuqinë e thellimit në jetën e Luanit. Por nuk e zbeh para vetes, portretin e tij shumë social. Ndonëse është larguar prej vitesh nga ndërmarrja e gjelbërimit, njerëzit thonë: “Në kohën e Luanit”, “këto natyra vlejnë të drejtojnë”, “sa i mirë që ishte”, “bëhej copash të zgjidhte hallet e punëtorëve”, e të tjera vlerësime.
Këtu kërkoj mirkuptim me lexuesin. Mos ma dëmtoni shkrimin me paragjykime partiake. Jo vetëm në këtë rast, por as në dukuri të tilla analoge, nuk del qoftë edhe një gram gjykim, që mund të kem anuar nga fjala politikë. Nuk jam i prirur për këtë. Por edhe rradhët që po hedh për Luan Zazën, absolutisht që anohen nga kjo. Fjala Luan, do të thotë në letrat që kërkova: i zoti, trim, guximtar, i fortë, qendrestar.
Kështu është, pasi kështu lexohet edhe në arkivat etimologjike. Nuk e vendos Luan Zazën si luftëtar, sepse nuk ka kundërshtar përpara. Por cilësitë, të cilat janë të fiksuara dhe të njohura për cilindo që kërkon të dij kuptimin e fjalës Luan, i shkojnë shumë për shtat. Thotë hapur fjalën dhe mendimet e tij. E argumenton atë dhe pasi bindet, kërkon ta zbatojë, ani se i çfaqen vështirësi.
Kur një Durrës i tërë flet mirë për Luan Zazën, tregon se pasqyron vlera, të lidhura me përpjekjet për të zgjidhur hallet e njerëzve dhe për të qendruar tërë kohën pranë tyre.
Vë re se Luan Zaza është zotni, pasi pasyron fisnikëri, i lexon thjeshtësinë, i vështron përmbajtjen e punëve. Nuk të hapet kot opinioni i mirë, nëse nuk e meriton. Veçanërisht kur ke të bësh me opinion publik të gjërë. Tani nuk ka frikë. Njerëzit janë kurajozë dhe ta thonë atë që mendojnë. Kjo edhe kur punon jo mirë dhe bëhesh problem. Por ke Luan Zaza, gjykoj se kjo nuk ndodh.
Në vëmëndjen time dhe pse jo edhe bindjen time, ky Luan çfaqet me rroben e thjeshtë të komunkimit me njerëzit. Familjar. Punëtor i madh. Por edhe masovik, pjesë aktive e shoqërisë.
Nuk i shikoj portreteve të mia bindjen, se me kë bisedon dhe qendron më shumë, me të majtë, të djathtë, të qendrës, apo të ekstremit. Tek ky Luan, nuk ka rëndësi veshja e njerëzve, por zemra dhe shpirti i tyre. Ai e shikon qytetin si një të tërë dhe jo të parcelizuar. Dhe kësaj i shërben, në çdo hap të jetës shoqërore. Është i lidhur shumë ngushtë me njerëzit, me durrsakët. Dhe kjo vlen më shumë, se vetë biografia e tij.
E ç’më duhet se ku ka punuar, por se si ka punuar, se si ka shërbyer, se si i ka ndërtuar marrdhëniet me njerëzit. Këtë lloj portreti doja të formatoja tek Luan Zaza, me rastin e 60-të vjetorit të lindjes.
Duke qenë i regjur në detyrën e gazetarit profesionist, jam i palëkundur në opinionin tim dhe polemika këtu besoj se mbetet zero, se ky Luan Zaza jo vetëm mua, por edhe kolegëve të mi kur ka rënë rasti të bisedoj me ta, nuk u ka kërkuar asnjë favor për të shkruar dhe për t’i bërë publiçitet.
E pra kjo tregon thjeshtësi dhe se nuk ka nevojë të çfaqet dhe të lyhet me makiazhin e ireales. Ai është dhe mbetet thjesht Luan Zaza. Nuk len “kokën” për të vetëm Qamil Xhumrra, por janë të shumtë që veprojnë kështu.
Njeriu udhëhiqet në jetë nga norma, të cilat nuk favorizojnë dhe bien ndesh me interesa. Luan Zaza mbetet ai durrsaku i mirë, i afrueshëm, plot mirësi dhe bukuri shpirtërore. Nuk i ka shikuar detyrat e ngarkuara si epërsi, por si detyrim, prandaj edhe preferohet. Fjalët e mira dalin nga goja e atyre që e njohin dhe kanë patur rastin të punojnë apo të bashkëpunojnë me të.
5 korrik 2024. Luan Zaza është në 60-të vjetorin e lindjes. Të shërbejë ky shkrim i gazetarit zanatçi, për t’ia zbukuruar më shumë këtë ditë, ditë të artë dhe të bekuar të jetës.
Jetë të gjatë Luan Zaza!
Bujar Qesja
Durrës: 5 korrik 2024