Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kreu i SPAK, Altin Dumani, ka firmosur urdhër-arrest për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, por që nuk e ka ekzekutuar.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, Berisha pretendon se në total janë lëshuar nga SPAK 21 urdhër-arreste dhe mes emrave rezultonte edhe ai i vëllait të Veliajt, por ka qenë një kërcënim i kryebashkiakut të Tiranës ndaj kryeministrit Edi Rama që ka mbajtur pezull operacionin.

“Me datën 26 qershor, mediat pranë qeverisë, por dhe media të tjera informuan publikun se Skrapi i partisë me Dumanin, kishin firmosur 21 mandate arresti, ndër të cilët Erion Veliaj dhe vëllain e tij. Por gjer sot me datën 8 korrik, nga këto mandate arresti, rezulton se nuk është arrestuar asnjë njeri. Rezulton një skandal të paparë ndonjëherë, që ato u gëlltitën nga ata që i firmosën.

Ky akt, i paprecedentë është dëshmi flagrante se, Altin Dumani dhe Skrapi i partisë, nuk janë gjë tjetër veç se vegla të verbëta në duart e Edi Ramës.  Ky akt dëshmon kontrollin e plotë të Edi Ramës mbi Skrapin e partisë. Ky akt fakton se në Skrapin e partisë asgjë nuk mund të lëvizë pa firmën përfundimtare të Edi Ramës.

Ju garantoj se ai këtë akt e bëri me miratimin e plotë paraprak të Edi Ramës. Por ishte Erion Veliaj me mesazhet drithëruese që i dërgoi, ai që palosi Edi Ramën, duke i rikujtuar të gjithë kontot e fshehta bankare për paratë e djegësit të Tiranës. Duke i rikujtuar të gjithë gjobat e tmerrshme që ai vendos për çdo kullë dhe ndërtesë, prej 30 për qind.

Ishte jo mëshira e Edi Ramës, por frika dhe tmerri që kishte nga denoncimet që do të bënte  Veliaj, që dinte shumë më tepër se sa Arben Ahmetaj për aferën e djegësit të Tiranës, vjedhjes së shekullit dhe për aferat e tjera për Edi Ramën, që detyroi Zamanin e partisë të gëlltisë 21 mandate, ti shndërrojë ato në kallp mandate”, shkruan Berisha.