Trajneri i Francës, Didier Deschamps, doli në konferencën e zakonshme për shtyp për të folur për gjysmëfinalen me Spanjën.

Duke e vlerësuar kundërshtarin, ai theksoi se “Gjelat”, synojnë të fitojnë trofeun.

Reparti difensiv – “Sigurisht, mbrojtja është diçka shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh aftësinë sulmuese që posedon Spanja. Të qenit solid në mbrojtje në një kompeticion të madh është kaq e rëndësishme, por nuk është e mjaftueshme, ne do të duhet të sigurohemi që të jemi efikas në të ardhmen”.

Mesfusha e kundërshtarit – “Të gjitha skuadrat spanjolle kanë pasur gjithmonë një mesfushë të mirë. Ata kanë aftësinë për të kontrolluar lojën. Mesfusha e tyre është e fortë, me Rodri-n thelbësor. Ata janë skuadra që kanë pasur Europianin më të mirë deri më tani. Ata kanë lënë përshtypjen më të mirë pas çdo ndeshje”.

Lojtarët dhe gjendja e tyre – “Ndihen shumë mirë. Kemi arritur të rikuperohemi mirë dhe kemi kthyer vëmendjen në këtë gjysmëfinale. Objektivi ynë është të arrijmë një tjetër finale.

Kylian Mbappé – “E dinim se koha shtesë kundër Portugalisë ishte pak e vështirë për të. Nga pikëpamja muskulare, ai patjetër do të jetë në fushë. Ne donim që ai të pushonte sa më shumë që të ishte e mundur. Ne kemi bërë gjithçka që mundëm dhe jam i bindur se Kylian është në një vend të mirë, ai do të bëjë gjithçka për të dhënë 110 për qind, ashtu si edhe pjesa tjetër e grupit”.