Petro Gjikuria, biznesmenin shqiptaro-amerikan, kandidati nga radhët e opozitës, ka marrë vëmendjen e mediave në Greqi, të cilat kanë përcjellë lajmin për zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë. Gjikuria do të kandidojë kundër Vangjel Tavos nga Partia Socialiste.

Gazeta më e madhe greke, Kathimerini shkruan se organizata ‘Omonia’ që përfaqëson minoritetin etnik grek në Shqipërinë e Jugut dhe partitë e opozitës shqiptare zgjodhën si kandidat të përbashkët në zgjedhjet e përsëritura bashkiake të 4 gushtit në Himarë, Petro Gjikuria, një shqiptar etnik grek që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara.

Kandidimi i tij pritet të shpallet zyrtarisht në Himarë në orët në vijim, por Gjikuria e ka bërë të ditur këtë të enjten përmes një postimi në Facebook.

Zgjedhjet e Himarës u vendosën pasi në një vendim të diktuar politik, KQZ i hoqi mandatin e Fredi Belerit, i cili u dënua me dy vjet burg, mbyll shkrimin gazeta greke.

Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie”, shkruan Gjikuria, citon Kathimerini.

“Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës.