Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar atentatin ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump një tragjedi për botën demokratike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë se është shqetësuese të shohësh që një kandidat për president në SHBA qëllohet gjatë një tubimi dhe ku një person mbeti viktimë.

Postimi i  plotë i kryeministrit Edi Rama:

Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur mes disa të tjerëve që janë plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës.