Stendat e mbushura me produkte tipike të zonës shërbyen si një kartolinë e bukur prezantuese e potencialit gastronomik por edhe artizanal të Durrësit.

Panairi “Taverna e Adriatikut”, në edicionin e tij të dytë, në shëtitoren “Taulantia”, solli për qytetarët durrsakë, por edhe turistët e huaj që popullojnë qytetin këto kohë një gamë të larmishme produktesh kulinarie nga agroturizmat e qytetit, pijet tradicionale vendase nga kantinat më të mira, vajin e ullirit, reçelrat dhe glikotë e fshatrave turistikë etj. Madje në panair nuk munguan as librat e kuzhinës apo punimet handmade nga artizantet e talentuara të qytetit.

“Ne prezantohemi me konjakun, fërnetin, ponçin verërat dhe rakitë e frutave. Turistët që vijnë na frekuentojnë janë të kënaqur me produktet tona, teknologjia që ne përdorim është teknologji e kohëve të fundit”,- na rrëfen administratori i një prej kantinave të verës në Durrës.

“Pjesëmarrja më duket më e madhe këtë vit. Edhe ne këmi ardhur në mënyrë më të organizuar. Vjet ishim vetëm me librat e kuzhinës, kurse këtë vit kemi marrë edhe libra për fëmijë, libra artistikë, por edhe revista për të ngjyrosur dhe lexuar”,- thotë Rahime Belegu nga libraria “Dyrrah”, që ka marrë pjesë në të dy edicionet e këtij panairi.

Bashkia e Durrësit synon ta kthejë këtë panair në një traditë të pervitshme.

“Shpresojmë që të bëhet një evenimet i përvitshëm. Aktualisht kemi rreth 25 biznese të zonës në fushën gastronomike, ku përfshihen ushqimet tipike lokale dhe pijet lokale, ndërkohë kemi dhe shkollën “Hysen Çela” që përmes nxënësve të saj do të ofrojë produktet tipike lokale”,- tha për “DurrësLajm” nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi.

Një atmosferë të veçantë dhe mjaft të këndshme në panair krijoi grupi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Arian Plaku” me repertorin e tyre, duke korrur dhe duartrokitjet e qytetarëve të pranishëm

Panairi “Taverna e Adriatikut” do jetë i hapur edhe të shtunën.