Në këto momente ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi po jep dëshminë e tij në Prokurorinë e Beratit.

Thirrja e tij është bërë nga Prokuroria e Beratit si person në dijeni për të dhënë shpjegime në lidhje me vjedhjen e një sasi e të konsiderueshme metalesh në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, ndërsa për çështjen është regjistruar procedim penal në vitin 2022, për shpërdorim detyre.

Mësohet se Çuçi është evidentuar në biseda me drejtuesin e Kombinatit Mekanik të Poliçanit Erion Zylyftari i cili ishte edhe drejtues i PS-së në Poliçan.

Bëhet fjalë për mbi 50 ton metale në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ku është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm, thonë burime nga organi i akuzës. Ndërkohë, janë bërë edhe audite rreth dëmit ekonomik për të cilat është vënë në dijeni edhe ministria e Mbrojtjes.