Me shtimin e numrit të turistëve, Durrësi po shton edhe shërbimet që po u ofron, atyre që kanë zgjedhur qytetin bregdetar si destinacion për të kaluar pushimet e tyre verore.
Dhe risia e këtij sezoni veror, janë këta motorë me katër rrota.
Një “revolucion” i guidave turistike, që po sfidon guidat “tradicionale”, duke ofruar një mënyrë ndryshe, për të eksploruar thesaret e qytetit 3000-vjeçar.
“Na lindi ideja që t’i provojmë motorët ATV në qytetin e Durrësit, duke parë që mungon aktiviteti për turistët. Organizojmë ture në Kallm, që zgjasin 90 minuta, Sektor Rinia, që zgjat 3-4 orë dhe ‘full day tour’ që është Kepi i Rodonit.” – na tregon guida turistike, Xhersi Kurti.
Nga rrugët urbane dhe plazhi te ullishtet dhe vreshtat, për turistët, “joshja” qëndron në sensin e aventurës, që këto ekspedita ngjallin.
“Ishte shumë qejf ky tur ‘off road’. Pluhuri, era nëpër flokë, ishte shumë qejf dhe tani si përfundim kjo pamje e mrekullueshme, e rekomandoj 100%. Jam nga Norvegjia dhe kjo është hera e parë që vij këtu, jeni fantastikë.”,– thotë një vajzë e re, që po eksploron Durrësin.
Ndërsa një tjetër ka mbërritur në qytetin bregdetar me disa miq të saj:
“Ne jemi një grup të rinjsh që vijmë nga Franca, është hera e parë që vizitojmë vendin tuaj. Na pëlqen shumë këtu dhe ky tur ishte fantastik. Mendoj që është një mënyrë e mirë, që ta njohim natyrën e vendit tuaj edhe duke eksploruar.”
Por cilët janë adhuruesit e historisë, aventurës dhe adrenalinës?
“Është një grupmoshë që fillon nga 20-22 deri në moshën 45 vjeç. Pjesa më e madhe janë të huaj. Në fundjavë mbizotërojnë shqiptarët, ndërsa gjatë javës punojmë më shumë me të huajt. Kemi shumë grupe franceze, nga Anglia, Holanda, Norvegjia, polakë gjithashtu dhe çekë, që kanë mbizotëruar vjet.“,- thotë Kurti.
Në qendër të çdo ekspedite janë guidat e ekspertëve vendas, që e njohin mirë historinë e Durrësit.
Ata rrëfejnë për turistët pjesëza të historisë së çdo vendi që vizitojnë, duke ofruar një përzierje të njohurive kulturore me hijeshinë natyrore të qytetit bregdetar.