Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore në tregun financiar pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, mbështetur në informacionin e Regjistrit të Kredive, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 71.39%, nga 74.78% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe 78.38%, që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Edhe për kartat e kreditit me limit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar ra në 19.7%, nga 20.54% që ishte në gjashtëmujorin e dytë 2023 dhe 21.17% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërsa, për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi u rrit lehtë në 14.04%, nga 13.93% që ishte në gjashtëmujorin e dytë 2023, por është sidoqoftë në nivele më të ulëta krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, kur raportohej në 14.21%.
Edhe për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit ra në 28.07%, nga 30.45% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Për kreditë me shumë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit u rrit në 12.15%, nga 11.68% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm.
Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive që administrohet nga banka qendrore.
Norma mesatare efektive e interesit përfshin normën nominale të interesit të kredisë, por edhe të gjitha kostot e tjera që i ngarkohen klientit, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.
Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal)
Rënia e normës efektive mesatare të interesit mund të shpjegohet me një tendencë rënëse të normave të interesit të lekut në tregun financiar, por edhe me një konkurrencë në rritje në tregun e kredisë konsumatore dhe sidomos për kreditë më të vogla.
Duke qenë se këtu marzhet janë relativisht të larta, institucionet e kredidhënies kanë pasur hapësira për të konkurruar me çmime. Aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive.
Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie për kreditë e vogla me këste deri në 200 mijë lekë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia konsumatore po vijon rritjen me ritme dyshifrore edhe në pjesën e parë të këtij viti.
Për pesëmujorin janar-maj 2024, sektori bankar dha rreth 18.9 miliard lekë kredi të reja konsumatore, duke përfshirë edhe overdraftet. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia e re konsumatore është rritur me 33%./ Monitor