Ekipi Kombëtar U-19 ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore ndaj Lihtenshtejnit në muajin gusht.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy sfidave në datat 9 dhe 11 gusht. Të dy takimet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”. Ndeshja e parë ndaj Lihtenshtejnit do të luhet më 9 gusht, në ora 17:30, teksa përballja e dytë do të zhvillohet më 11 gusht, në ora 10:00.

Dy ndeshjet miqësore janë mjaft të vlefshme për skuadrën dhe stafin e Kombëtares U-19, me në krye trajnerin Julian Ahmataj, në kuadër të përgatitjeve që ekipi po zhvillon për eliminatoret e Kampionatit Europian “Rumani 2025”. Kuqezinjtë janë shortuar në grupin 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut.

Shqipëria U-19 do të nisë grumbullimin më 5 gusht në Tiranë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për dy sfidat miqësore ndaj Lihtenshtejnit.