Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Në takim, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier kanë diskutuar për koordinim për takimet dhe aktivitetet gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA), ku Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në cilësinë e saj si kreu i shtetit.
Krahas kësaj është diskutuar gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit nacional.
Presidentja e ka njoftuar ambasadorin amerikan lidhur me nisjen e fazës së konsultimeve me krerët e partive politike sa i përket zgjedhjeve të rregullta, ndërkaq në këtë takim, Presidentja Osmani u njoftua edhe me Zv. Ambasadoren e re të SHBA-së, znj. Anu Prattipati.