Të lindur e rritur me detin, durrsakët jo më kot e duan aq shumë Kallmin.

Ai është një ndër të vetmet plazhe në Durrës, ku dora e njeriut nuk ka arritur ta dëmtojë habitatin natyror.

Gjarpërimi i brigjeve ka krijuar gjire të shumta natyrore, të shndërruara në plazhe shkëmbore e ranore, që gjatë verës frekuentohen në masë nga vendasit e të huajt. Madje këta të fundit janë kthyer ndër frekuentuesit më të rregullt.

“Bukur, shumë bukur. Do të rikthehesha me shumë kënaqësi. Sigurisht mikpritjen tuaj nuk e prisja. Të gjithë janë të gatshëm të ndihmojnë.”

“Ju këshilloj një makinë më të lartë për të ardhur këtu, pastaj çdo gjë tjetër është perfekte. Është një eksperiencë shumë e bukur, do ta ribëja shumë herë.

Për ata që duan arratisjen nga zhurma dhe stresi i një jete dinamike e intensive, Kallmi është përgjigja që kërkojnë.

“Qetësia. Është shumë qetë këtu. Të gjithë janë shumë të sjellshëm. Në Itali nuk kemi një shërbim të tillë në plazh”

“Është shumë qetë, çlodhesh këtu. Të ndihmojnë të gjithë. Ndihesh si në shtëpi”.

I pozicionuar rreth 4 km larg qendrës së qytetit, infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, por kjo nuk i pengon plazhistët. Me automjetet e tyre, makina me qira apo në këmbë, ata nuk ngurojnë të marrin rrugën që gjarpëron qark kodrës për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar, që i përngjet parajsës në tokë.

Tarifat e shezlongeve në plazhet private variojnë nga 1000-2000 lekë dhe në disa prej tyre lejoheni të merrni ushqime apo termueset me vete. Për të huajt, çmimet janë disa herë më të ultra sesa shërbimi që ofrohet.

“Raporti shërbim – cilësi është shumë i mirë. Madje disa herë na duket sikur kërkoni shumë pak. Det i pastër, çmime të ulta, festa po se po. Ndihesh si zot!”

“Çmimet janë shumë të favorshme dhe plazhet janë të mrekullueshme”.

Nëse nuk i preferoni plazhet private, natyra ende ezervon për ju plazhe të virgjëra në gjire të vogla e pak të eksploruara. Në këto raste, më i përshtatshëm është një mjet tip Fuoristradë, pasi rruga është e vështirë për t’u përshkuar.

Pushime me familjen apo me shoqërinë? Zgjedhja mbetet e juaja, sepse Kallmi është i përshtatshëm për të gjitha grupmoshat.

Në Kallm ende nuk ka depërtuar betoni dhe ndërtimet pa kriter. Beach baret, lokalet dhe restorantet janë kryesisht struktura prej druri, për të qenë sa më miqësore me natyrën.

Pas një qëndrimi disa orësh në plazh, mund të konsumoni drekën në restorant, ku fatura zakonisht varion 2000-3000 lekë për person, ndërsa konsumoni produkte të freskëta deti.

M.B.