Shtrihet në skajin më verior të bashkisë Durrës dhe është një nga plazhet më të njohura dhe më të frekuentuara.

Po flasim për plazhin e Gjirit të Lalzit që me brezin e gjerë ranor, gjatësinë rreth 4 km, kurorën e gjelbërt dhe infrastrukturën rrugore të rikonstrukturuar tërësisht është kthyer në një “magnet” sidomos për pushuesit nga Tirana dhe diaspora.

“Më pëlqen shumë vendi, sepse është afër Kosovës. Për 2 -2.30 orë mund të vi këtu”.

“Shërbimi është në nivel shumë të mirë, jam shumë i kënaqur me shërbimin që ofrohet”,- na thonë pushues nga Kosova, por që jetojnë në Zvicër e Norvegji.

Të huajt e kanë zbuluar më së shumti vitet e fundit kjo edhe për shkak të investimeve serioze që janë bërë në zonë përsa i përket strukturave akomoduese luksoze.

“Çmimet janë ok. I pëlqej shumë njerëzit sepse janë të dashur dhe miqësorë. Ndihem shumë e sigurt këtu”.

“Jemi shumë të surprizuar sesa mirë është këtu. Ju keni plazhe të bukura me rërë, det të përshtatshëm për not dhe ushqim shumë të mirë. Po e shijojmë qëndrimin këtu”.

“Është një destinacion shumë i mirë për pushime. Koha është e mirë, njerëzit janë të mirë, ushqimi është shumë i mirë. 100% që do të rikthehem”.

Me një shtrirje nga Hamallaj e deri në skajin fundor në Shën Pjetër, kjo vijë bregdetare ofron gjithçka kërkoni për një pushim komod e relaksues.

Nëse dëshironi të qëndroni larg plazheve të zhurshme dhe shumë të frekuentuara, Shën Pjetri ju ofron gjithë qetësinë e dëshiruar.

“Moti është shumë i mirë dhe është shumë qetë. Kam ardhur me gruan dhe vajzën. Po kalojmë super”, thotë i entuziasmuar një turist nga Gjermania, që prej 3 ditësh po pushon në këtë zonë.

Në plazhin e Shën Pjetrit nuk mungojnë hapësirat publike, por edhe ato për kamping.

Kjo zonë ofron tarifat më të ulta të shezlloneve në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit, pasi aty ende mund të akomodohesh duke shpenzuar vetëm 500 lekë.

M.B.