I ndërtuar vite më parë, rrethrrotullimi i Shënvlashit mund të klasifikohet në vendet e para të listës së çudirave alla shqiptare. Megjithëse që nga koha e ndërtimit të tij, rrethrrotullimi ka dëshmuar mosfunksionalitetin e tij, asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për të korrigjuar gabimin në projektim dhe zbatim.

4 rrugë pikëtakohen në të, por ai nuk shërben për t’i lidhur ato. Në vend që të ishte në qendër, rrethrrotullimi ka “rrëshqitur” në cep të kryqëzimit, duke u bërë jo pak herë burim për aksidente rrugore.

I llogaritur për të lidhur 4 akset rrugore që shkojnë drejt Shënvlashit, tregut të makinave, Sektor Rinia dhe Kampusit Universitar në Spitallë, në një pjesë të mirë të rasteve, rrethrrotullimi nuk e kryen aspak funksionin e tij, pasi shumë nga mjetet e shmangin atë.

Nëse ndonjë patrullë e policisë rrugore do të ishte e pranishme aty, disa drejtues mjetesh nuk do t’i shpëtonin gjobitjes. Por ndërsa shoferët ndëshkohen për shkelje të Kodit Rrugor, projektuesit dhe ndërtuesit e tij nuk janë detyruar asnjëherë që të zhvendosin në pozicionin e saktë rrethrrotullimin. Duket se ai do të vazhdojë edhe për ca kohë të jetë në krye të listës së çudirave shqiptare.

M.B.