Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë po vijon të shënojë shifra në rritje, ndërsa një kategori e veçantë janë edhe nomadët dixhitalë të cilët zgjedhin të qëndrojnë për një kohë më të gjatë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale rastin e dy të rinjve italianë, të cilët prej 10 muajsh po qëndrojnë në Shqipëri.

“Dy patronazhistë të maskuar si italianë, të cilët i përshkruajnë thjesht e qartë Shqipërinë e ne shqiptarët”, u shpreh Rama.

Ndërsa flasin për jetesën në Shqipëri ata vlerësojnë veçanërisht sigurinë, ushqimin e mirë si dhe vendet e bukura për t’u vizituar.

“Prej 10 muajsh jemi në Shqipëri.Po ju themi 3 gjëra që duam dhe 3 gjëra që nuk i durojmë. Një ndër ato që adhuroj më shumë është siguria me të cilën mund të jetohet në këtë vend. Asnjë nuk të thotë gjë, të gjithë merren me punët e tyre, të gjtihë të lumtur e të kënaqur”, u shprehën ata.

Një tjetër gjë që tërinjtë italianë vlerësojnë e pëlqejnë më tepër është se Shqipëria është e mbushur me vende të paprekura nga njeriu. “Në fakt ne kemi dalë pak nga Shqipëria këto muaj, pikërisht sepse kemi vizituar shumë vende të bukura”,u shprehën ata.

“Gjëja që adhuroj është ushqimi në Shqipëri. Në dyqan mishi i freskët, peshku i freskët, perimet e freskëta. Kaluan vite dhe rizbulova shijet e vërteta”, thanë ata.

Por ndërkohë ata veçojnë edhe 3 gjëra që nuk pëlqejnë në Shqipëri.

“Një gjë që nuk e duroj është që nuk ndaleni te vizat e bardha. Unë munnd të jem kaq afër por ende nuk ndalesh. Një gjë tjetër që nuk më pëlqen janë ata persona që janë transferuar shumë vite më parë nga Shqipëria në Itali që flasin keq për këtë vend, ose flasin për gjëra që kanë jetuar 20 vite më përpara. Tani situata është krejtësisht ndryshe dhe nuk duan ta kuptojnë”, thanë ata.

“Një gjë që nuk na pëlqen është që ndonjëherë jeni shumë hatërmbetës, sidomos kur në realitet nuk është kritikë, merret njësoj personalisht”, shprehen të rinjtë italianë.