Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka paralajmëruar një marshim proteste për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec.

Në një intervistë televizive, Adriatik Lapaj, kreu i kësaj lëvizjeje, tha se ngjarje të tilla kanë ulur besimin te policia dhe kanë dëmtuar punën e qindra efektivëve të ndershëm.

“Marshim përkujtimor solidarizues për të gjithë ata që kanë humbur jetën nga mungesa e zbatimit të ligjit. Ka sot drejtues të policisë që kanë sabotuar punën e policisë. Kanë ulur besimin e policisë dhe atë të policëve të ndershëm. Nga deklarata e parë e policisë rezultonte se viktima e humbi jetën aksidentalisht. Ngjarja ka qenë krejt tjetër dhe masa e personit të arrestuar tani është arrest me burg.

Vrasja nga pakujdesia është nga veprat e lehta të kodit penal. Nuk e di ku e bazon këtë prokuroria. Kjo do të dalë nga hetimet. Duhet tu bëj thirrje familjarëve të kërkojnë pamjet e të gjitha kamerave në zonë. Është e çuditshme si prokuroria ka lënë një hetim kaq të përciptë.

Shqipëria është një shtet nën pushtetin e krimit dhe si i tillë duhet të shkëputet prej tij. Politika për të bërë vota lidhen me të fortët. Ndaj kjo duhet të ndryshojë duke votuar njerëz që nuk kanë lidhje të tilla.”