Sezoni i ri nis keq për mesfushorin Arbnor Muçolli.

Futbollisti i kombëtares, i cili po shkëlqente me Goteborg në Suedi, ka dëmtuar ligamentin kroçiat të gjurit dhe duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Trajneri Sylvinho i preferon cilësitë e tij dhe mungesa e tij është një lajm i keq para Ligës së Kombeve.

Këtë të shtunë ai ndrydhi gjurin në pjesën e parë të ndeshjes në kampionat dhe u desh të linte mes dhimbjeve fushën e lojës. 

Testet konfirmuan më të keqen, dëmtimin e ligamentit kroçiat dhe nevojën për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale që do e lërë larg futbollit deri në vitin 2025.

“Unë ndjeva shumë dhimbje menjëherë sapo ndodhi dhe e kuptova që nuk ishte aspak e mirë. Kur mora mesazhin se çfarë ishte, ishte ndjesi e vështirë dhe kanë qenë disa ditë të vështira. Por tani po pres me padurim ndërhyrjen kirurgjikale dhe të luftoj të kthehem përsëri i fortë në vitin 2025”, tha mesfushori Muçolli.