Bajerni mundi skuadrën austriake WSG Tirol 3-0 të martën në mbrëmje në provën e fundit para fillimit të sezonit. Për herë të parë, ylli i sulmit, Herri Kejn, u lejua të startonte dhe shënoi në 3’.

Ai vazhdoi aty ku e kishte lënë sezonin e kaluar dhe pas 45 minutash la fushën. Megjithatë, ishte një mbrëmje e hidhur për Leon Goreckën. Ndoshta ishte një nga shanset e fundit për 29- vjeçarin për të bindur Vinsent Kompaninë para nisjes së sezonit. Por asgjë nuk doli prej saj. Sepse mesfushori i kombëtares nuk ishte grumbulluar në skuadër për shkak të një dëmtimi.

 Drejtori sportiv Kristof Frojnd tha në “FC Bayern TV”: “Dje ai mori një goditje në zonën e ijeve. Ai u stërvit individualisht sot, por nuk është aty”. Aktualisht duket se Gorecka do të jetë viktima e parë e spikatur e trajnerit të ri Kompani. Pasi humbi Kampionatin Evropian, e ardhmja e tij në Mynih është gjithnjë e më shumë në dyshim. Rivali i tij më i madh për pozicionin në fushë, Zhoao Palhinja bëri një performancë ëndrrash. Ishte ndeshja e tij e parë me fanellën e Bajernit që nga minuta e parë dhe ajo erdhi bashkë me golin e parë spektakolar.

Ai tregoi gjithë klasin e tij me lëvizjet në fushë, duke i nxjerrë në pah edhe shokët e skuadrës me pasimet elegante. Në përgjithësi, Kompani u dha pushim shumë djemve të tij dhe e ndryshoi plotësisht ekipin e tij në krahasim me testin kundër Totenhemit. Myler, Gnabri, Nojer u kursyen. Të rinj të uritur si Licina, Fernandez ose Irankunda u aktivizuan.

Por të premten gjërat do të bëhen vërtet serioze për rekordmenët e Gjermanisë, kur të ndeshen kundër ekipit të kategorisë së dytë Ulm (20:45), takim i vlefshëm për raundin e parë të Kupës së Gjermanisë.