Ish-kryedemokrati Lulzim Basha, ka publikuar prioritet kombëtare të programit për Turizmin.

Në një video të shpërndarë në Facebook, Basha thekson se duke ndjekur modelet rajonale do të subvencionohen një pjesë e mirë e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, si dhe do të hapen 4 shkolla profesionale me fokus këtë sektor.

Një prioritet tjetër sipas tij do të jetë edhe përmirësimi i rrjetit të brendshëm rrugor të infrastrukturës kombëtare, duke bërë të mundur edhe vënien në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian pa pagesë.

Dy zotimet e tjeta që përmend Basha, është edhe heqja e pagesës në rrugën e Kombit, si dhe rehabilitimi i aksit rrugor Shkodër-Tropojë-Kukës-Dibër-Librazhd-Përrenjas-Pogradec-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër që njihet si unaza lindore kombëtare.

Më poshtë postimi i plotë i Bashës:

Turizmi është prioritet kombëtar në programin tonë:

Sipas modeleve më të përparuara rajonale, do të subvencionojmë një pjesë të mirë të fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, për periudhën jashtë sezonit, për t’i mundësuar atyre të ardhura gjatë gjithë vitit dhe familjeve të tyre të qëndrojnë në Shqipëri;
Do të hapim 4 shkolla profesionale me fokus turizmin;
Përmirësojmë rrjetet e brendshme të infrastrukturës kombëtare duke bërë të mundur ndërtimin dhe vënien në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian pa pagesë në fund të mandatit të parë qeverisës;
Heqim pagesën për çdo makinë në Rrugën e Kombit;
Bëjmë të mundur rehabilitimin e aksit rrugor Shkodër-Tropojë-Kukës-Dibër-Librazhd-Përrenjas-Pogradec-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër që njihet si unaza lindore kombëtare.
Zhvillimi i infrastrukturës dhe platforma jonë e taksave të ulëta do të mundësojë që operatorët turistikë, të çliruar nga kosto e lartë e infrastrukturës së dobët dhe nga taksat e larta të qeverisjes qëndrore dhe lokale, të kenë një ofertë turistike konkurruese për rajonin dhe për turistët anembanë botës.

Fjala e Bashës në video

Turizmi nuk është propagandë, por prioritet kombëtar në programin tonë qeverisës. Sipas modeleve më të përparuara rajonale, ne do të subvencionojmë një pjesë të mirë të fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, për pjesën jashtë sezonit, për t’i mundësuar atyre dhe familjeve të tyre të qëndrojnë në Shqipëri, të aftësohen përmes arsimit profesional në fushën e turizmit dhe të shërbejnë me standartet më të larta. Po kështu, zhvillimi i infrastrukturës dhe platforma jonë e taksave të ulëta do të mundësojë që operatorët turistik, të çliruar nga kosto e lartë e infrastrukturës së dobët dhe nga taksat e larta të qeverisjes qëndrore dhe lokale, të kenë një ofertë turistike konkurruese për rajonin dhe për turistët anembanë botës. Në këtë mënyrë, turizmi me të vërtetë do të kthehet në një prioritet kombëtar dhe një zhvillues të ekonomisë kombëtare për të gjithë shqiptarët.