Nga Bledar Kurti

Më 22 gusht, 1485 vdiq Rikardi III, mbreti i Anglisë, i cili qëndroi në fron për dy vite deri në ditën kur u vra në betejën e Bosworth-it, gjatë Luftës së Trëndafilave.

Ai ishte vetëm 32 vjeç, por etja e tij e paepur për kurorën e mbretit ishte legjendare, ndaj edhe William Shakespeare i kushtoi një vepër që mban titullin-emër, Rikardi III, ku përmendet zilia, ambicja, ligësia dhe deformimi fizik i këtij njeriu që bëri gjithçka vetëm e vetëm të zbukuronte qenien e tij të shëmtuar të brendshme e të jashtme me xhevahirët e kurorës.

“Ndërgjegjja nuk është veçse një fjalë që përdorin frikacakët, e krijuar për t’i kallur frikën të fortëve… Emri i mbretit është kështjella e forcës.” lexojmë te vepra mbi qasjen dhe mjetet e Rikardi III për të arritur pushtetin dhe dëshirën e flaktë për të sunduar.

Por ajo dëshirë e ajo kurorë nuk e shpëtuan dot në prag të vdekjes, kur gjatë betejës, i rrethuar nga kundërshtarët ai ofroi gjithë mbretërinë e tij vetëm për një kalë që të mund të shpëtonte kokën: “Një kalë! Një kalë! Jap të gjithë mbretërinë time veç për një kalë!” Askush nuk i dha një kalë, e atë e vranë me disa goditje shpate mbi kokë, duke ia çarë aq shumë kafkën sa që i dolën trutë.

Por, vdekja e palavdishme e një mbreti u rishfaq mbi pesë shekuj më vonë, kur eshtrat e tij u zbuluan në vitin 2012 poshtë një parkingu makinash. Skeleti tregonte lëndimet e rënda si edhe deformimin fizik të tij të shkaktuar nga skolioza që e kish shoqëruar atë gjatë të gjithë jetës.

Rikardi III, por edhe shumë e shumë të pushtetshëm të tjerë përgjatë historisë korruptuan veten por s’mundën të korruptojnë dot vdekjen dhe kalbjen. Pasi nuk ka pushtet, kurorë, kështjellë, diamant, ar, xhevahir e luks, që të shpëton nga krimbat brenda secilit prej nesh që ushqehen kur ne ushqehemi teksa jemi gjallë, e më pas kur ne vdesim, në mungesë të ushqimit, ato ushqehen me mishin tonë, e kështu ne tretemi. Pra, vrasësit tanë i bartim brenda vetes qysh ditën kur lindim.

Dhe pyetja ndërshekullore, e kahershme sa vetë njeriu, është: Përse duhet lakmuar kaq shumë pushteti? “Pasuria më e madhe e njeriut është të gjejë lumturinë në gjëra të pakta e të vogla,” tha Platoni. “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” tha Krishti. “Momento Mori” ishte simbolika e mesjetës, një kafkë në çdo shtëpi, studio, bibliotekë, akademi, etj, për të të kujtuar në mëngjes sa hap sytë se “o njeri je i vdekshëm, jetoje jetën ashtu siç duhet.” Të gjitha këto këshilla historike e megjithatë dashuria për pushtetin vazhdon edhe më e flaktë, e njerëzit, vazhdojnë të mos tregohen të mençur, duke dëshiruar në çdo frymëmarrje atë që s’të shpëton dot. E jo vetëm që s’të shpëton dot por edhe ta përkeqëson qenien.

Si ndodh kjo? Shkencërisht është e provuar që me të marrë pushtet njerëzit pësojnë atë që sipas termit mjekësor njihet si “sociopati e fituar” – një çrregullim personaliteti anti-social jo i trashëguar, i diagnostikuar për herë të parë nga psikologët e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Një sindromë me efekte të njësojta me një goditje në kokë me hekur apo varre. Pra, “goditja” e pushtetit dëmton zonat kryesore të trurit dhe i bën njerëzit më të mirë të shndërrohen në intrigantë dhe manipulatorë. Ata sillen e veprojnë me të vërtetë si dikush që ka pësuar dëmtim në tru. Jo vetëm që janë më impulsivë, egocentrikë, cinikë, krenarë, arrogantë e të paskrupullt por edhe përbuzin opinionin e të tjerëve.

Ata bëhen të pandjeshëm e të paturpë. Realisht, nuk skuqen nga turpi. Një mori studimesh tregojnë se një prej efekteve të pushtetit është që të bën t’i shohësh të tjerët me sy negativ duke menduar se shumica prej tyre janë dembelë dhe të pabesueshëm. Se ata duhen mbikëqyrur dhe monitoruar, duhet të menaxhohen dhe të kontrollohen, të censurohen dhe t’u diktohet se çfarë duhet bërë. Dhe për shkak se pushteti i bën të ndihen superiorë ndaj të tjerëve, ata besojnë se i gjithë ky monitorim duhet të jetë në dorën e tyre. Se pa ata çdo gjë do rrënohej. Madje arrinë në pikën e mendimit dhe të artikulimit se janë fatkeqë që drejtojnë një popull, një qytet, një institucion, një kompani, etj., që nuk arrin dot të kuptojë vizionin dhe idetë e tyre gjeniale.

Të dhënat na tregojnë se pothuajse të gjithë sunduesit gjakatarë dhe drejtuesit e paskrupullt e nisën rrugën e tyre drejt pushtetit me qëllime të mira, misione fisnike dhe me idealizëm frymëzues. Madje edhe me “thirrje hyjnore.” Duke besuar me të vërtetë që do e përdornin pushtetit për të shpëtuar atdheun, për të shkruar historinë e popullit të tyre, për të ndihmuar të varfërit, për të bërë revolucion në të mirë të njerëzimit, apo për të ndjekur zërin e Zotit i manifestuar sipas tyre si një thirrje apo zë i brendshëm. Gjëra që vazhduan t’i besonin edhe pasi sunduan me ligësi e diktaturë kur morën pushtetin.

Por si ia arritën ata pushtetarë të mirë dhe reformatorë historik t’i shpëtojnë grackës së pushtetit e ta përdorin atë në të mirë të vendit dhe të tjerëve?

Së pari, askush prej tyre nuk ia doli lehtësisht. Askush. Por ata ia arritën përmes disa mjetesh mençurie: Ata ishin njohës të mirë të historisë dhe dijes njerëzore përmes së cilave ata përvetësuan deri në gjakun dhe frymëmarrjen e tyre vlerat e vërteta dhe më të larta të jetës dhe njeriut; mësuan mirë e nuk e harruan kurrë të vërtetën epokale se krenaria vjen përpara rënies (historia njerëzore është plot me shembuj të tillë); shumë prej tyre u mbërthyen fort pas besimit të vërtetë në Zot e të tjerë arritën një vetëdije të lartë mbi vdekshmërinë e tyre, si për shembull Marcus Aurelius, perandori romak që mbante shërbëtorin t’i pëshpëriste vazhdimisht te veshi “je vetëm një njeri.” Të tjerë luftuan të mposhtnin egon e të shkonin përtej vetes, për t’i shërbyer të tjerëve duke e matur përmbushjen vetjake përmes masës së ndikimit te të tjerët apo në shoqëri.

Thënë thjesht, janë tre mënyra për të përdorur duart tona: dy duar për veten (diktatorët dhe autoritarët), një dorë për vete e një dorë për të tjerët (shtetarët e moderuar), dhe dy duar për të tjerët (figurat ikonike të altruizmit apo shenjtërisë si Nënë Tereza, etj.)

Disa të tjerë ishin më fatlum dhe e kishin më të lehtë t’i shpëtonin grackës së pushtetit për shkak se jetuan në një epokë dhe shtete me sistem të konsoliduar kontrolli të pushtetit, sundimit të ligjit dhe mekanizmave të shumtë politik e shoqëror të frenimit të shtrirjes së autoritetit. Sot, vetëm 10% e shteteve të botës kanë sisteme të tilla që nuk lejojnë lindjen dhe ngritjen e diktatorëve, pjesa tjetër është e ekspozuar në çdo moment nga një rrezik i tillë.

Pra, a do të thotë kjo që për të ruajtur veten njeriu nuk duhet të aspirojë për pozicione drejtimi dhe pushteti? Kurrësesi jo. Përndryshe shoqëria nuk do kishte kurrë përparim dhe nuk do arritej asnjë ndryshim.

Por, kjo që na mëson historia dhe shkenca është se çdo aspirant i pushetetit duhet të dijë faktin se do vihet përpara një zgjedhjeje, se cilin ujk do ushqejë brenda vetes, të keqin apo të mirin. Nëse zgjedh të ushqejë të keqin atëherë të dijë që në mënyrë të pashmangshme do vijë dita kur do thërrasë: “Një kalë! Një kalë! Jap të gjithë mbretërinë time veç për një kalë!” E askush nuk do i japë një kalë të shpëtojë kokën. Dhe nëse zgjedh të ushqejë të mirin të përgatitet për një betejë të vështirë me veten, e cila nëse fitohet do sjellë pasoja të jashtëzakonshme në fatin e komunitetit, vendit, botës e madje me gjurmë ndërshekullore në histori.

Dhe kjo betejë fitohet vetëm duke u mbajtur fort në çdo hap e çdo frymëmarrje pas dijes dhe mençurisë 6 mijë vjeçare njerëzore, me përkushtimin dhe devotshmërinë e pandërprerë ndaj vlerave më të larta, e mbi të gjitha duke jetuar një jetë përpara, gjatë dhe pas pushtetit, duke dhënë e jo duke marrë, duke kontribuar e jo duke përfituar, duke zgjedhur “të jesh” mbi “të kesh” e duke patur një vetëdije të përhershme se nuk je një qenie që “vdes” për pushtet, por që je i vdekshëm si çdo njeri i zakonshëm, e pikërisht ky fakt të shërbejë për t’u bërë i jashtëzakonshëm përmes jetës dhe veprave të tua.