Gushti po ikën e bashkë me të dhe vapa siç thotë populli. Papritmas teksa lija turnin torturues prej 12 orë, prej gati 2 muaj e ca, po mendoja: Si është e mundur që nga e thëna në të bërë vazhdon të jetë në mes një det e madje një oqean i tërë?

Nisa të mendoja sesi pritej të ishte sezoni turistik, i cili për nga pompimi mediatik ishte me vërshim popujsh, njerëzish, turistësh e pushuesish nga anë e mbanë botës. E tradita jonë shekullore mbase e do që miku ta presë si mos më mirë. Kështu u bënë përgatitjet dhe udha mbarë e mirë se të vini.

Në rradhë të parë u përgatit terreni që me 15 qershor, që policia duhet të kthehej në një shërbim të përforcuar 12 orë për të përballuar fluksin dhe nevojat e turistëve që prisnim të vinin, e jo 1 muaj as dy por plot tri.

Ashtu u bë e ashtu u vendos, 15 qershor-15 shtator, policët në gadishmëri 12 orë. E zeza mbi të bardhë dhe urdhri doli. Madje firmosëm vetë ne që në mes këtyre muajve do pranonin të punonim 4 orë shtesë çdo shërbim kundrejt pagesës që do jepej sapo të merrnim rrogën pasardhëse.

Ca me hir e ca me pahir edhe kjo firmë u hodh, fundja mbase edhe po mos hidhej nuk do të bënte ndryshim. Sezoni filloi, pritja nisi e bashkë me të na doli dhe një tjetër “e mirë” që na priste, ishin pagesat e ushqimeve që kësaj rradhe do të paguheshin në stilin tollona.

U trumbetua dhe u morën kartat e bankës me shpresën se lekët e ushqimeve që na takojnë me ligj do të merreshin dhe do të bëhej e mundur blerja e ushqimeve bazike në supermarkete. U besua, u prit pavarësisht se në nevojën që ka një punonjës policie gjatë shërbimit nuk ishte zgjidhja që duhej.

Ndërkohë qershori iku, erdhi korriku e bashkë me të u shtuan problematikat e përvitshme në lidhje me sezonin dhe turizmin. Qytetarët/Turistët/Pushuesit në terren filluan pakënaqësitë me një sërë problemesh, që hasnin çdo ditë dhe që të gjithë në një zë e në një vrull përplaseshin e vazhdojnë përplasen tek polici.

Tek ai i miri që sipas atyre zgjidhin hallin dhe tek ai i keqi, që sipas atyre halli mbetet pa zgjidhje në shumicën e rasteve, sepse nuk funksionojnë një sërë hallkash të tjera mes institucionit të policisë brenda vetes dhe institucioneve të tjera mbështetëse.

Po turisti nuk i di këto, e atëherë kur i di bën sikur nuk i di, sikur nuk kupton e madje të akuzon që nuk po i vjen në ndihmë e që do të ankohet.

Turisti nuk e di që punonjësi i policisë nuk ka marrë pagesën shtesë, që iu premtua për orarin jashtë normës.

Pushuesi nuk e di që të famshmit matës të zhurmave akustike nuk erdhën kurrë.

Turisti nuk e di që në shumë raste sistemi nuk punon dhe në shumë raste të tjera nuk ka internet.

Pushuesi nuk e di që mjetit me targa të huaja nuk i vë dot masë gjobe për parkim te gabuar, sepse nuk ke si e vjel gjobën, as sesi e merr pronësinë e aq më tepër që nuk ka karrotrec, që ta lëvizi nga rruga apo vendi ku ai i papërgjegjshmi europiano-shqiptar ka lënë mjetin.

Turisti nuk e di që atë bidon ujë që piu nga “dhurimi” i një fushate mikpritëse, polici nuk e piu për vete.

Pushuesi nuk e di që institucionet e tjera më tepër pushojnë, sesa punojnë dhe bashkëpunojnë me policin dhe shpeshherë e lënë atë vetëm.

Turisti nuk e di që punonjësit të policisë iu hoq e drejta e lejes për periudhën e verës si shkak i mikpritjes së tij me sa me shumë policë.

Pushuesi dhe Turisti, hera-herës të njejtët e hera herës të ndryshëm, nuk dinë shumë gjëra që mungojnë, shumë gjëra që nuk funksionojnë megjithatë prapë në rrugë e kudo sheh që një grup policësh janë aty, qofshin këta të gjithë të mirë, një i mirë e një i keq, apo të dy siç nuk duhej të ishin.

M.K.