Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje me transportin e mbetjeve toksike nga vendi ynë drejt Tajlandës. Në një konferencë, Meta u shpreh se ky është një skandal që ka ndodhur që në kohën kur ai ka qenë kryetar Parlamenti.

Meta tha se në atë kohë strukturat e shtetit i fshinë gjurmët në një kohë rekord. Sipas Metës, tashmë në këtë skandal janë përfshirë disa kontinente dhe ky skandal është denoncuar nga organizatat e mbrojtjes së mjedisit, por edhe nga mediat prestigjioze.

“Nuk ka më dyshime, ku është një skandal që ka plasur që kur kam qenë kryetar parlamenti. Për fat të keq të gjitha strukturat shtetërore i fshinë gjurmët në një kohë rekord. Ky tranzit kishte ndodhur nga Italia në Shqipëri dhe në drejtim të Maqedonisë. Tani skandali ka plasur në përmasa globale, sepse bëhet fjalë për përfshirjen e disa kontinenteve.

Organizatat për mjedisin e kanë denoncuar, mediat prestigjioze e kanë denoncuar. Kemi të bëjmë me një qeveri mafioze për të cilin interesi i vendit nuk ekziston”, tha Ilir Meta.

Ilir Meta ishte në një zë me Partinë Demokratike, kur tha se i ka kërkuar deputetëve të PL që të nxisin një hetim parlamentar.

“E kemi bërë të qartë, ne i kemi kërkuar deputetëve tanë të kërkojnë dhe nxisin një hetim parlamentar, aq më mirë që opozita të bashkohet në një çështje që është interes kombëtar.

Përgjegjësi kryesor për këtë aferë mafioze është Edi Rama, i cili ka kapur për fyti edhe drejtësinë që nuk reagon”, u shpreh nder te tjera Ilir Meta.