Ritëm, energji rinore, por edhe shumë argëtim dhe atmosferë festive në Durrës.

Në kryeqytetin e turizmit shqiptar, jeta e natës është në kulmin e saj.

Larmishmëria e alternativave muzikore, që ofrojne lokalet e natës apo diskot verore e kanë kthyer zonën e Currilave, Plazhit apo Shkëmbit të Kavajës në pikëtakimin e të gjitha brezave.

Të përbashkët kanë dëshirën që orēt e mbrëmjes t’i kalojnë me doza të shtuara alegrie, që veç notat mbi pentagram mund t’i gjenerojnë.

Dinamizmi i valleve tradicionale shqiptare i përfshin turistët e huaj dhe ata bëhen bashkë me vendasit në festat e organizuara pranë detit, ku hareja dhe argëtimi reflektohet në fytyrat e të gjithëve.

“Është diçka e re për mua, por ishte muzikë shumë e këndshme. E shijova”.

“Ishte e mrekullueshme, shumë atmosferë e bukur, e dashuroj. Mësuam edhe disa hapa të valleve”. 

“Është një muzikë ndryshe nga e jona, është një kulturë tjetër. Por u kënaqëm shumë”.

“E shijova shumë, ishte kërcim shumë interesant. Bëmë qejf”.

“U kënaqa shumë. Nuk kërceva, por dëgjova këngët dhe u impresionova”,- thonë për “DurrësLajm” turistë të huaj nga vende të ndryshme të BE-së.

Rikthimi në atdhe i shumë emigrantëve është mundësia e artë për familjet apo grupet shoqërore për t’u bërë bashkë e festuar në shoqëri të mirë.

Të kënduarit live i dhuron mbrëmjes një tjetër atmosferë dhe për shumëkënd kthehet në mision të pamundur të mos ngrihet në pistën e vallëzimit. Në këto netë, vitet mbi supe nuk kanë rëndësi, pasi të gjithë ndihen të rinj e plot energji.

“Është një mbrëmje shumë e bukur edhe lokali qenka i mrekullueshëm”.

“Atmosfera është shumë e mirë. Gjallëri e madhe”.

“Është momenti, është shoqëria që kemi, të afërmit tanë. Janë të gjitha bashkë. Pastaj buzë detit çdo moment është i bukur.”

“Çdo verë, kur vijnë edhe shokët tanë, që jetojnë jashtë ne mblidhemi”, thonë shumë durrsakët vendas, por edhe ata që janë kthyer nga jashtë për të kaluar disa ditë pushimi në qytetin e lindjes.  

Këtë sezon, Durrësi është frekuentuar në masë të madhe nga grupe të rinjsh nga vende të ndryshme të Evropës, për të cilët lokalet e natës janë përmbyllja më e bukur e ditëve të pushimit.

Tingujt vibrues të rrymave muzikore dance i kthejnë këto disko buzë detit në vendet më të populluara në orët e vona të mbrëmjes.

“Durrësi është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara. Kemi shumë turistë të huaj, por gjithashtu edhe vendas. Siç e shikoni lokali është plot”.

“Kërkesa kemi pasur shumë si nga të huajt, si nga shqiptarët. Mënyra që ne kemi ndjekur me investimin tonë këtu i përshtatet më së miri të gjithë atyre që kanë nevojë për të dalë, për të shijuar jetën e natës”,– na thonë menaxherët e dy prej lounge bareve më të njohura të qytetit bregdetar.

Muzika e lartë vijon deri në orën 24.00, sepse lokalet janë të detyruara të zbatojnë fashën orare të vendosur përmes akteve ligjore për ruajtjen e qetësisë publike.

Por edhe pse argëtimi pa kufi nuk zgjat deri në orët e para të mëngjesit, atmosfera e krijuar sidomos fundjavave i kthen këto disko dhe lokale në destinacionin më IN të mbrëmjeve verore në Durrës.

M.B.