Në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD, Gazment Bardhi pyeti ministrin e Financave, Arben Malaj se çfarë e shtyu atë që të dyfishonte vlerat e tre projekteve, në një kohë që shuma ishte e përcaktuar më parë.
Bardhi solli tre projekte, zgjerimin e autostradës Tiranë Durrës, bypass i Elbasanit dhe rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa.
Sipas tij për këto tre projekte vlera ka qenë e parashikuar, por pasi mori detyrën ministri i ri shumat janë dyfishuar pa bërë asnjë studim fizibiliteti.
“Kujtojmë që bëhet fjalë për të njëjtën zonjë që tunelin e Llogarasë e çoi nga 140 mln euro e çoi në 190 mln euro me një të rënë të lapsit, unë po flas për krahasim e vlerave që janë miratuar para 5 muajsh dhe dyfishimin e këtyre vlerave 5 muaj më pas”, tha Bardhi.
Ministri Malaj, si përgjigje tha se analizat kanë ardhur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe rishikimi i vlerave duhej bërë për shkak se kursi i këmbimit ka ndryshuar.
Bardhi: Disa ditë pasi ju u emëruat ministër i Financave me një vendim qeverie keni shtuar 3-4 muaj pasi ishin miratuar vlerat paraprake të projekteve rreth 260 milionë euro vetëm për tre projekte, pra bëhet fjalë për projektin e zgjerimit të autostradës Tiranë Durrës, by pass i Elbasanit dhe rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa. Pa bërë asnjë studim fizibiliteti, pa bërë asnjë analizë sepse analiza ishte bërë dhe vlera e projekteve ishte miratuar dhe unë nuk di të ketë ndonjë zhvillim kaq të madhe të rritjes së çmimeve, fjala vjen një projekt që ishte parashikuar me 205 mln euro të shkojë 298.8 mln euro, apo një projejkt që e kishte vlerën 39.8 mln euro ju ta çoni në 87 milionë euro, apo siç është rasti i By Pass të Elbasanit që ishte parashiukuar të kushtonte 120 mln euro është rritur në 240 mln euro.
Pyetja ime është çfarë ju nxiti ju që pasi hytë në atë zyrë të rishikonit dyfishim të vlerave të këtyre projekteve
Arben Malaj: Për projektet e përmendura nga ju janë projekte për të cilat kanë ardhur analizat nga ministria e linjës, në rastin konkret nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për Rishikimin e Vlerave. Po ju marr rastin e projektit Tiranë Durrës që daton që në 2010. Pra vlerat kanë qenë të 2010 dhe kanë nevojë për të reflektuar si kostot e ndërtimit edhe efektet e kursit të këmbimit. Pra ka një analizë të detajuar sepse kanë ndryshuar çmimet.
Bardhi: Ka patur një vendim qeverie 5 muaj më parë që kishte përcaktuar vlerat që përmenda. Pas 5 muajsh ministria e linjës, kujtojmë që bëhet fjalë për të njëjtën zonjë që tunelin e Llogarasë e coi nga 140 mln euro e coi në 190 mln euro me një të rënë të lapsit, unë po flas për krahasim e vlerave që janë miratuar para 5 muajsh dhe dyfishimin e këtyre vlerave 5 muaj më pas.