Mbetjet industriale të dyshuara si të rrezikshme nga hiri oxhaqeve metalurgjike janë nisur në korrik nga porti i Durrësit në dy anije me mbi 816 ton lëndë në mbi 100 konteinerë me destinacion Tajlandën, bëri të ditur në fillim të gushtit Rrjeti i Aksionit të Baselit (BAN), një organizatë e specializuar në çështjet e drejtësisë mjedisore.

Alarmi i saj nga një anë i bllokoi ato konteinerë në Singapor, dhe nga ana tjetër nxiti hetimet e zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve OLAF në Bruksel si dhe nga prokuroria shqiptare.

Drejtuesi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i kërkoi në Kuvend qeverisë gjatë interpelancës së sotme të japë shpjegime mbi përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore në këtë eksport.

“Organizata joqeveritare amerikane “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” është shprehur për media prestigjigjoze, përfshirë “Zërin e Amerikës”, se ajo është e bindur që Porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria, rajoni e me gjasa edhe nga vende të tjera evropiane mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike.

Për këtë organizatë prestigjioze ndërkombëtare, nga porti i Durrësit çdo 3 apo 4 muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike”, tha zoti Bardhi.

Materiali i dyshuar me pluhur helmues për t’u transportuar nga Shqipëria në Azi, u ngarkua në portin e Durrësit në konteinerë, të cilët nga porti shqiptar udhëtuan drejt portit të Triestes në Itali, dhe aty ngarkohen në dy anije të tjera transportuese të firmës “Maersk”.
Udhëtimi i konteinerëve nga porti italian vijon përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës drejt Singaporit me destinacion Tajlandën.

Lënda e eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës “Sokolaj”, e cila e ka blerë atë nga kompania “Kurum” në Elbasan, ku prodhohet çelik dhe hekur.
Kryeministri Edi Rama tha në interpelancë se për eksportin e këtyre mallrave bëhet fjalë vetëm për dyshime, por asgjë e vërtetuar me analiza dhe prova të faktuara.

“Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Gjithashtu, praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit, nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit”, tha zoti Rama.

Ai shtoi se mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku u transportuan nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane me dokumentacionin përkatës përmes linjave konteinerike ndërkombëtare me një reputacion të padiskutueshëm, kanë qëndruar e janë magazinuar përkohësisht në vende të Bashkimit Europian, ku askush nuk i ka penguar. Më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre.

Debati ka mbetur deri tani në rrafshin politik mbi përgjegjësitë institucionale të gjithësecilit. Opozita beson se organet shtetërore shqiptare nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme dhe as zbatuar protokollet ndërkombëtare, për ngarkesat e dyshuara si mbetje helmuese,

“Rastet e përsëritura të konstatuara ngrejnë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të izoluar, por me një aktivitet të mirëfilltë kriminal, që përfshin përgjegjësi për veprime të paligjshme apo mosveprime të disa autoriteteve shtetërore në varësi të kryeministrit dhe këshillit të ministrave, si dhe mungesa apo neglizhenca kriminale të mbikëqyrjes së aktivitetit të paligjshëm të disa subjekteve private”, tha kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Por kryeministri Rama hodhi poshtë akuzat e shprehura nga opozita, të cilat i quajti “ekstreme”, “të pabazuara” dhe me fajtorë të paracaktuar, ndonëse hetimet vazhdojnë.
Ai theksoi se mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogët evropiane mbi të cilat bazohet dhe procedura mjedisore dhe doganoree Shqipërisë as nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e Kodit Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme.

“A prodhohen mbetje nga proceset industriale dhe teknologjike në Shqipëri? Sigurisht që po dhe është mëse normale, siç politika ka prodhuar mbetje, çdo proces prodhon mbetje, por këtu jemi në rastin kur mbetjet prodhojnë politikë. Ndër to, ka mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. A ka një kontroll të këtyre mbetjeve të rrezikshme? Patjetër”, tha zoti Rama.
Ai shtoi se mbetjet e rrezikshme trajtohen sipas ligjit përkatës nëpërmjet rikuperimit, riciklimit, asgjësimit, dhe në përputhje me lejen mjedisore trajtimi kryhet në vendndodhjen e tyre përmes rikuperimit ose ato grumbullohen, transportohen dhe asgjësohen në mënyrë përfundimtare nga subjekte të licencuara.

Përveç debateve politike, ende ka pak të dhëna, dhe çështja është ende e mbështjellë nga shumë dyshime dhe të panjohura. Nëse vërtetohet që lënda vjen nga oxhaqet e fabrikave metlurgjike, atëherë, sipas Rrjetit të Aksionit të Bazelit (BAN), bëhet fjalë për material me pasoja të rënda për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin.