Ish-zvministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj ka mbërritur me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e policisë në Kuvend për të dëshmuar për koncesionin e sterilizimit në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë.

Prokuroria e Posaçme dha leje që Rrepaj të lërë qelinë e paraburgimit dhe të paraqitet fizikisht në komision. Kjo është hera e parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët.

Po ashtu, do merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini. Të dy janë në masë detyrim paraqitjeje, por edhe për ta SPAK ka dhënë leje që të pyeten nga Komisioni.

Me interes është dëshmia më 3 tetor, e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në hetim nga SPAK për koncensionin e sterilizimit, por njëkohësisht me masë arresti me burg për një tjetër hetim ndaj tij, atë të abuzimit me fondet e BE kur drejtonte agjencinë SASPAC.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check-up. Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.