Dritan Dajti, i dënuar me burgim përjetë për vrasjen e 4 policëve në Durrës, bën një tjetër përpjekje për lirim nga burgu.

Përmes avokatëve të tij, Dajti ka depozituar një kërkesë penale në Gjykatën e Elbasanit ku kërkon të konstatohet pavlefshmëria dhe pamundësia për ekzekutimim e vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda të korrikut 2014, për lënien e tij në burg përjetë.

Sipas Dajtit, ky vendim është i pavlefshëm për shkak se i mungojnë nënshkrimet e 4 anëtarëve të trupit gjykues. Po sipas pretendimeve të Dajtit, urdhri i ekzekutimit të prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi nuk ekziston.

Në 11 qershor 2024, Gjykata e Lartë prishi dënimin e Apelit për dënimin me 25 vite të Dajtit, duke e dënuar përjetë.

Ndërkohë, më herët Dajti i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit me kërkesë për lirim nga qelia, pasi, sipas tij, e ka konsumuar dënimin me 25 vite dhe se prej 17 gushtit 2024 po qëndron në qeli në kundërshtim me ligjin.