Gjatë një aktiviteti në New York, ku u nderua kontributi i Shqipërisë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve, Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë së vendit në përballjen me kërcënimet, veçanërisht pas sulmit kibernetik të kohëve të fundit nga Irani.
Rama e vuri në dukje se Shqipëria ka paguar një çmim të lartë për strehimin e muxhahedinëve në Manëz, duke aluduar në tensionet e krijuara me Iranin si pasojë e kësaj politike. Ai theksoi se vendi ynë ka marrë masa të rëndësishme, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin si përgjigje ndaj agresionit kibernetik.
Megjithatë, Kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga vendimi për të strehuar iranianët, duke nënvizuar angazhimin e vendit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e individëve që kërkojnë mbrojtje. Kjo qasje e tij vjen si një shprehje e qartë e qëndrueshmërisë së Shqipërisë përballë presioneve ndërkombëtare dhe kërcënimeve të jashtme.
Edi Rama: Të parët tanë na mësuan vlerën e të qëndruarit krah hebrenjve duke vënë jetët e tyre në rrezik për t’i mbrojtur nga kasapët e Luftës së Dytë Botërore dhe, po ashtu, i mësuan botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë, të ishe i krishterë e të bëje të njëjtën gjë, të ishte thjesht njeri kur të tjerë njerëz në rrezik kishin nevojë për ndihmën tënde. Me cfarëdo çmimi.
Me të njëjtën frymë iu dhamë strehë mijëra refugjatëve iranianë, jeta e të cilëve rrezikohej çdo ditë në Kampin “Liria” në Irak, ku plaçkiteshin e vriteshin nga vrasësit e Teheranit.
Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne e paguam shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi regjimi totalitar i Teheranit u angazhua për të kryer një sulm kibernetik masiv kundër Shqipërisë, që synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike.
Po ne nuk hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare gdhendur në shpirtin tonë si komb.
U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përjashtuar personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet të ndajë mendjen se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, po aq inkurajojmë miqtë e strehuar të mos angazhohen në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë.