Nga Gëzim KABASHI
Dash Janina do të shuajë sot, më 1 tetor, 90 qirinj mbi tortën e jetës së tij.
Dikujt do ti merrej fryma duke numëruar deri në 90, por jo Dashamirit tonë, i cili jetën e tij e ka kaluar mes njerëzve.
Një pjesë të madhe, që nga mesi i shekullit të kaluar e ka kaluar në det, mbi anije; një pjesë tjetër duke mbështetur jetën e detarëve nga administrate e Flotës Tregtare dhe Portit detar ku punoi, ndërsa gjatë 30 viteve të fundit, bashkë me kolegët e tij të detit ka synuar njohjen dhe vlerësimin e jetës së detarëve.
Nga greva portuale te shoqata “Adrijon”
Muajt e ndryshimeve të mëdha, në vitin 1991, e gjejnë Dashamir Janinën në krye të grevës së përgjithshme të punonjësve të portit detar.
Veprimtaria dhe këmbëngulja e Dashit bëhen pjesë e Historikut të portit detar “Porti ynë në rrjedhën e viteve”.
Pikërisht atëherë, kur dikush tjetër mund ta quajë vehten të moshuar, Dashi, siç e thërrasin të gjithë në Durrës, përshkruan hollësisht në faqet e një libri episodet e jetës së tij dhe të kolegëve-shokë e miq.
“Jeta ime mes njerëzve të detit” – Kujtime për Flotën Tregtare, Portin dhe Kantierin detar, publikohet në vitin 2021 dhe kthehet menjëherë në një pikë referimi për familjet e detarëve.
Tregimet e Dashit shpesh janë të dhimbshme, kur flet për varrin e detarit tonë në Murmansk, apo për arratisjen e detyruar të kolegut marinar; por ato bëhen gazmore, kur edhe pse rrezikoheshin nga banalitetet e kohës, një detar i dashuruar pas muzikës italiane pasi i dërgon një letër, merr një kartolinë “Con simpatia” nga Milva, këngëtarja e famshme.
Dashi shkruan me trishtim për “Kantierin e lavdishëm detar”, që nuk ekziston më, ndërsa kujton me simpati inxhinjerët dhe drejtuesit e tij.
Në librin e Dashit paraqiten mbi 80 tregime të shkurtëra për ngjarje të rëndësishme nga jeta e detarëve në lundrim; portretet e kapidanëve të parë nga Ulqini; takimet “e fshehta” me qytetarë të huaj; udhëtimet drejt vendeve të Europës lindore e më pas drejt Kinës e vendeve në oqeanin Atlantik; sakrificat e panumërta të detarëve; mysafirët e veçantë në bordin e anijes si shkrimtarët Sako e Shuteriqi, apo ajo e futbollistëve të kombëtares shqiptare.
Dashamiri tregon thjesht mbi jetën e tij dhe të kolegëve, duke zgjuar nga shënimet dhe memoria e tij jo vetëm ecurinë e Flotës sonë, por edhe ngjarje historike të Shqipërisë, që paralelisht kanë ndikuar edhe në jetën e detarëve dhe familjarëve të tyre.
Për ata që e njohin, Dashamir Janina i ka dhënë “frymëmarrje” detarëve të moshuar, të cilët në fillim të viteve 1990 i humbën lidhjet me Flotën Tregtare, që po zvogëlohej vazhdimisht.
Ekspozitat e detarisë shqiptare
23 vjet më parë, Dashi dhe miqtë e tij themeluan Shoqatën mbarëkombëtare detare “Adrijon”. Dashamir Janina zgjidhet kryetar i saj.
Materialet dokumentare dhe fotot që nga fillimi i shekullit të kaluar bëhen pikësynimi kryesor i grupit që takohet çdo ditë.
Produkti i kësaj pune, përkthehet në një ekspozitë fotografike që u hap në galerinë e arteve në Durrës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit.
20 stendat që përshkruajnë rrugën e gjatë të Flotës Tregtare dhe të detarëve të saj fitojnë admirimin e qytetarëve durrsakë, e më pas edhe në qytete të tjera.
Në Tiranë ekspozitës “Detaria shqiptare në shekuj” i hapen dyert e Muzeut Historik Kombëtar dhe një sërë personalitetesh shkruajnë konsideratat më të mira për punën e Dashamir Janinës dhe të miqve të tij.
Një eksponat i veçantë i kushtohet maketeve të flotës, të vetmet shenja që kanë mbetur nga anijet që i ranë kryq e tërthor deteve dhe oqeaneve.
Inxhinjeri i ndjerë navigator, Luan Shabani solli një dëshmi profesionale me maketet e mjeteve lundruese, ku punuan në dete e oqeane dhjetra detarë të të gjitha moshave.
Dash Janina ka dokumentuar çdo gjë. Madje ai është kujdesur të publikojë edhe përshtypjet e vizitorëve të ekspozitës në Durrës dhe në Tiranë.
Librit të shkruar me 300 faqe i shtohet edhe një album i eksponateve me historikun e detarisë shqiptare.
Ai tejkalon edhe autorët me përvojë, kur tregon krejt natyrshëm se si u krijua dhe u shtua familja e tij, me bashkëshorten Lili Maliqati, e më pas edhe me fëmijët Moza, Genta dhe Toni.
Me mjaft humor dhe finesë njëkohësisht, Dashamir Janina, është i këndshëm kur rindërton të gjitha marrëdhëniet me institucionet, shoqatat simotra, dhe shokët e miqtë e panumërt në jetën e tij.
Pengu i Dashamirit
Dashi ka dhënë një shembull kuptimplotë, kur pas gati 15 viteve, dha dorëheqjen nga drejtimi i “Shoqatës “Adrijon”, duke këshilluar edhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Rrallë drejtues e ndërmarrin një hap të tillë, si ky i Dashamir Janinës.
Ka një peng Dashi, të cilin ai shpreson ta shlyejnë shoqata dhe drejtuesit e institucioneve detare: krijimin e një Muzeu të detarisë shqiptare.
Materialet që ka arkivuar Dashamiri janë një bazë e mirë për të këmbëngulur. Dashi, me siguri do të jetë gjithmonë pranë tyre.
Të gjithë ata që e njohin dhe respektojnë Dashamir Janinën do të bashkohen me urimet për Dashin, ndërsa ai do të shuajë sot 90 qirinjtë e jetës së tij të mbushur plot e përplot