Gazment Bardhi do të paraqitet rreth orës 15:00 në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Ai është thirrur për t’u pyetur në lidhje me denoncimin e bërë prej tij 2 ditë më parë, për komunikimet në SKY ECC për të cilat ai pretendon se është shantazhuar. 

Më 30 Shtator, Bardhi ka thënë se këto mesazhe i kanë shkuar në aplikacionin “Signal” nga një përdorues me emrin “Mbreti Zog”, ku përmenden personazhe të botës së krimit. 

Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion në lidhje me këtë rast, duke i kërkuar që të hetojë mesazhet e mbërritura më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal. 

“Siç e dini të hënën kam bërë publike një akt intimidues ndaj meje me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. SPAK është vënë në lëvizje që atë ditë, kam shprehur gatishmërinë për ti vendosur në dispozicion telefonin tim, do të paraqitem për këtë veprim hetimor të nevojshëm”, tha Bardhi.