Partia Demokratike është e vendosur që të mos lejojë zhvillimin në normalitet të seancave plenare, si pjesë e aksionit të mosbindjes civile që shpalli pas dënimit me 1 vit burg të kolegut të tyre Ervin Salianji.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi sot pas mbledhjes në selinë blu, se në seancën e nesërme parlamentare Partia Demokratike do të bëjë çdo gjë për ta penguar zhvillimin normal.
“Sa i takon seancës së nesërme, grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante të diktuara nga sjelljet e mazhorancës”, deklaroi Bardhi.
Edhe në seancën plenare të së hënës, opozita dogji karriget në pjesën e jashtme të Kuvendi dhe pati përplasje e akte dhune në sallën e Parlamentit.