Demokratët nuk kanë aspak ndërmend të tërhiqen nga aksioni i mosbindjes civile, të cilin presin ta përshkallëzojnë edhe më tej, pavarësisht përjashtimeve nga punimet e Kuvendit për akte dhune, procedimit penal dhe dëmshpërblimit që duhet të paguajnë nga paga e tyre për dëmet e shkaktuara në Kuvend.
Partia Demokratike është e vendosur që të mos lejojë zhvillimin në normalitet të seancave plenare, si pjesë e aksionit të mosbindjes civile që shpalli pas dënimit me 1 vit burg të kolegut të tyre Ervin Salianji. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi dje pas mbledhjes në selinë blu, se në seancën e sotme parlamentare, Partia Demokratike do të bëjë çdo gjë për ta penguar zhvillimin normal.
“Sa i takon seancës së nesërme, grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante të diktuara nga sjelljet e mazhorancës”, – deklaroi Gazment Bardhi.
Edhe në seancën plenare të së hënës, opozita dogji karriget në pjesën e jashtme të Parlamentit dhe pati përplasje e akte dhune ndaj mazhorancës socialiste. Për këtë gjë, policia procedoi penalisht dhe i referoi në SPAK 23 deputetë të opozitës. Deputetët demokratë bllokuan fillimisht foltoren dhe më pas e zhvendosën aksionin në oborrin e Parlamentit, ku u vunë flakën karrigeve të tyre.
Me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr dhe goditje për shkak të detyrës, Komisariati 1 i Policisë së Tiranës dorëzoi në SPAK kallëzim për 23 deputetë të opozitës, që u përfshinë në akte dhunë dhe zjarrvënie në seancën plenare të së hënës. Adminis trata e Kuvendit njoftoi se zëvendësimi i karrigeve të djegura nga deputetët e opozitës dhe dëmtimi i objekteve të tjera, do të bëhet me paratë që do t’u mbahet nga paga ligjvënësve të opozitës.