Hamami i Durrësit, monument i kategorisë I, është inauguruar paraditen e sotme, 2 vite pasi i ishte nënshtruar restaurimit, me një fond më vlerë 32 milionë lekë.
Godina një katëshe, e ndërtuar në shekullin XVIII është një nga dhjetë hamamet e mbijetuar në Shqipëri, nga periudha e sundimit osman.
Ajo pasqyron trashëgiminë pesëshekullore të sundimit osman në vendin tonë dhe gjatë tërmetit të vitit 2019 pësoi dëmtime të rënda dhe u përfshi në listën e monumenteve, që do të restauroheshin nga BE, në kuadër të programit EU4Culture.
Në ceremoninë e inaugurimit të tij merrte pjesë ambasador i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, zv/ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pipa, përfaqësues të lartë të UNOPS-it në Shqipëri, nga bashkia Durrës dhe komuniteti mysliman.
Punimet që janë kryer në godinën e Hamamit përfshijnë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.
Gjatë fjalës së tij ambasadori Gonzato theksoi se e ka pasur për zemër këtë projekt, pasi ai ka një vlerë simbolike.
“Eshtë dëshmi e plotë e të gjithë kësaj trashëgimie të larmishme dhe të pasur kulturore, historike dhe featre që ka Shqipëria. Eshtë një nga 15 sitet e trashëgimisë kulturore që ne kemi restauruar në bashkëpunim me UNOPS-in dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”.
Deri më tani, me projektin EU4Culture, që kap vlerën 40 milionë euro, janë restauruar 15 site të trashëgimisë kulturore dhe 8 të tjera janë në proces.
Tashmë Hamami do të jetë i vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj, të cilët përmes instalimeve digjitale mund të mësojnë më shumë për historikun e këtij monumenti dhe rëndësinë që ai ka në kolanën e monumenteve, pjesë të trashëgimisë kulturore të Durrësit 3000-vjeçar.
Hyrja në Hamam do të jetë me pagesë dhe bileta do të përfshijë vizitën tek Torra Veneciane dhe në këtë monument.
Duke nisur nga dita e nesërme, godina e restauruar do të mirëpresë edhe veprat e artistëve gjermanë, pjesëmarrës në edicionin e parë të Bienalës Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit.
Historiku i Hamamit
Hamami ndodhet në juglindje të qytetit mesjetar, në bulevardin “Epidamn”.
I pozicionuar vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij të lashtë, banjave romake, hamami kreu funksionin e tij të parë deri në fund të shekullit XIX.
Në fillim të viteve 2000, ai pësoi disa ndryshime për t’u shndërruar në një kafene, e cila funksionoi si e tillë për disa vite.
Pas mbylljes, Hamami u përball me dëmtime të rënda gjatë tërmetit të vitit 2019, duke e bërë atë një prioritet për ndërhyrje në kuadër të programit EU4Culture.
Restaurimi synon të ringjallë këtë vend historik, dhe pas përfundimit të tij, vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë dhe të kuptojnë rëndësinë dhe dobinë e këtyre strukturave unike.
M.B.