40 artistë nga 17 vende të botës u bënë bashkë pasditen e së shtunës në Durrës, në ceremoninë hapëse të edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor.

Qyteti 3000-vjeçar ka hapur dyert për herë të parë për një event kaq të veçantë, me tematikë “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.

Pavionet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse janë vendosur në disa nga institucionet dhe monumentet më të rëndësishme të qytetit, duke krijuar për 54 ditë me radhë një simbiozë interesante mes artit, antikitetit, historisë, të tashmes dhe të ardhmes së ndikuar nga zhvillimi i pandalshëm i teknologjisë, siç edhe “DurrësLajm” ka pasqyruar ditët e fundit.

“Unë jam i surprizuar, jam vërtet përtej çdo pritshmërie, pasi artistët janë vërtet të një kalibri ndërkombëtar. Mjafton që ju të klikoni në profilet e tyre dhe do të shikoni se cilët artistë botërorë kanë ardhur në Durrës”,- thootë Oltsen Gripshi, kuratori i saj.

Një prej artistëve pjesëmarrës është italiania Rosa Mundi, e cila është e emocionuar dyfish që ndodhet në Durrës.

“Kam marrë pjesë në shumë bienale. 3 herë kam qenë në bienalen e Venecias, vjet isha në atë të Qipros, kam qenë edhe në bienalen e Finlandës etj. Është një event shumë i rëndësishëm sepse mund të njihesh me shumë artistë.

Për mua është hera e parë në Durrës dhe është emocionuese, sepse gjyshi nga nëna është nga familja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Është pak si një rikthim në shtëpi e me këtë rast do të vizitoj dhe vendin tuaj”,- tha ajo.

Organizimi i një eventi të tillë kulturor ndërkombëtar mbart një rëndësi të veçantë për kryeqytetin shqiptar të turizmit, të cilën e theksuan gjatë fjalës së tyre prefekti i qarkut Emiljan Jani dhe nënkryetari i bashkisë Elio Jani. Edicioni i parë i bienales pritet të pasohet nga të tjerë në vitet në vijim.

Gjatë ceremonisë hapëse, juria e bienales, e përbërë nga 5 emra të mirënjohur të artit bashkëkohor ndërkombëtar, vlerësoi me 4 çmime artistët më të mirë në skulpturë, pikturë, fotografi dhe pavionin më të mirë të edicionit të parë.

Ishin pikërisht artistët amerikanë Gregory de la Haba dhe [dNASAb], të cilët koleksionuan çmimin e pavionit më të mirë kombëtar, ndërkohë që dy çmime të rëndësishme iu akorduan 2 artistëve nga Kina dhe dy artistëve shqiptarë, Sadik Spahija dhe Bujar Luca.

Çmimet:

Çmimi Pavijoni Kombëtar më i mirë, artistët Gregory de la Haba dhe [dNASAb], USA

Çmimi Special Artisti i Ri më i mirë, Lai Junjie, Kinë

Çmimi i karrierës në skulpturë, Sadik Spahija, Shqipëri dhe Oliviero Rainaldi, Itali

Çmimi i karrierës në fotografi, Zeng Yi, Kinë

Çmimi i karrierës në pikturë, Bujar Luca, Shqipëri

M.B.