Gjermanët po i kthejnë sytë gjithmonë e më shumë nga panelet diellore: Numri i sistemeve është dyfishuar që nga fillimi i vitit.
Arsyet lidhen me çmime më të lira, përmirësim cilësie dhe më pak burokraci. Numri i paneleve diellorë për ballkonet në Gjermani vazhdon të rritet me shpejtësi, sipas mediave atje.
Regjistri kryesor i të dhënave të tregut të Agjencisë Federale të Rrjetit në vend tani numëron mbi 700.000 “sisteme panelesh diellore me prizë” në funksionim. Kjo shifër është dy herë më e lartë se në fillim të vitit. Shifra reale është ndoshta edhe më e lartë, pasi ka një afat prej një muaji për regjistrime të vonuara dhe disa sisteme – pavarësisht detyrimit për regjistrim – thjesht nuk raportohen.
Prodhimi maksimal i instaluar është 600 megavat. Madje ai është dyfishuar që nga fillimi i vitit, gjë që ndoshta lidhet me faktin se tani mund të instalohen sisteme pak më të fuqishme. Për tremujorin e tretë që sapo ka përfunduar, regjistri kryesor i të dhënave të tregut tregon pothuajse 140.000 sisteme që janë vënë në punë me një fuqi maksimale prej 141 megavat.
Shoqata Gjermane e Industrisë Solare pret që trendi pozitiv në panelet solarë për ballkone të vazhdojë për momentin. Legjislativi ka reduktuar pengesat burokratike dhe çmimet e sistemeve diellore kanë vazhduar të bien, ndërsa javën e kaluar, Këshilli Federal gjithashtu ra dakord të përmirësojë të drejtat për qiramarrësit dhe pronarët e apartamenteve.