Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.

“Sot kam kënaqësinë që t’ju jap një lajm te mirë të gjithë pënsionistëve. Nga ky muaj, do t’i rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet”, tha Kurti në një konferencë për media të hënën në Prishtinë.

Rritja do të vlejë nga ky muaj, tha kryeministri. Ndërkohë, pensionet për përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025, tha Kurti.

Ky ligj përfshin familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. Kurti tha se nevojitet “ndryshime në tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”, para se të rriten këto pensione.

Pensionet që do të rriten nga tetori janë: pensioni bazik i moshës, pensioni kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet prej vitit 2014.

Sipas Ministrit të Financave të Kosovës, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga kjo rritje.

Ai tha se buxheti i përgjithshëm i tërë skemave pensionale është rreth 500 milionë euro për vit fiskal, ndërsa do të ndahen edhe 100 milionë euro shtesë vjetore pas kësaj rritjeje.

Pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.

Deri tani, pensionet në Kosovë silleshin nga 100 deri në 265 euro.

Rritja e fundit, në 100 euro, u bë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e Kosovës e miratoi në kohën e pandemisë COVID-19.

Në fund të shtatorit, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ia dorëzoi kryesisë së Kuvendit të Kosovës një peticion që kërkon ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale që financohen nga shteti.

Më 2022, sindikalistët madje kishim mbajtur protesta për të kërkuar ndryshimin e një neni të këtij ligji, përmes së cilit kërkohet që përfituesit të kenë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Por, as Kurti e as ministri Murati nuk e përmenden këtë çështje në konferencën e së hënës./REL