Donald Trump, ka thënë se emigrantët që janë në SHBA dhe kanë kryer vrasje e kanë bërë këtë pasi e kanë në gjen. Ai tha se ka “shumë gjene të këqija” në SHBA, raporton agjencia “AP”.
Është një shembull i radhës se si Trump po pretendon se emigrantët po ndryshojnë përbërjen trashëgimore të SHBA-së.
Vitin e kaluar ai riktheu kujtimet e gjuhës së përdorur dikur nga Adolf Hitleri për të argumentuar se emigrantët që futen ilegalisht në SHBA “po helmojnë gjakun e vendit”.
Trump ka bërë komentet e radhës të hënën në një intervistë në radio me moderatorin konservator Hugh Hewitt.
“Shumë prej tyre kanë vrarë dukshëm më tepër se vetëm një person. Dhe tani ata po jetojnë të lumtur në SHBA. E dini, tani vrasja – i besoj kësaj: është në gjenet e tyre. Dhe ne kemi shumë gjene të këqija në vendin tonë tash. Pastaj kishit 425 mijë njerëz që erdhën në vendin tonë që nuk duhet të ishin këtu, pasi janë kriminelë”, tha Trump.