Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të zhvillojë një takim me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të turit të diasporës, që nisi pak muaj më parë.

Kreu i qeverisë ka njoftuar se takimi me diasporën në Nju Jork do të mbahet me 26 tetor.

“Me shqiptarët e Amerikës”, shkruan Rama, i cili njofton se aktiviteti do te zhvillohet në “Gotham Hall” në orën 11:00.

Kujtojmë që turi i takimeve me diasporën nisi në maj me shqiptarët në Greqi dhe më pas me shqiptarët e Italisë.

Sjellim në vëmendje që për herë të parë në zgjedhjet e pranverës së vitit që vjen do të votojnë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Pak ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rregulloren për të gjithë procesin që do të ndiqet që nga ngritja e kësaj platforme dhe deri tek krijimi dhe afishimi i listës së zgjedhësve nga jashtë e veçuar nga lista e votueseve që jetojnë brenda territorit të republikës. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, e cila është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin.