Vizita e Presidentit turk, Taip Erdogan sot në Tiranë detyroi Parlamentin që të anulojë seancën plenare.
Kuvendi njoftoi shtyrjen e seancës për ditë tjetër, teksa vuri në dijeni edhe grupet parlamentare. Ditën e sotme Tiranën do e vizitojë Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili pritet të inaugurojë edhe Xhaminë e Namazgjasë pranë Parlamentit. Nuk dihet nëse kjo ka qenë arsyeja e anulimit të zhvillimit të seancës plenare. Po sot ishte paralajmëruar edhe aksioni i radhës i PD-së në Parlament me deputetët që po tentonin sërish kaosin si dy seancat e shkuara. Pavarësisht vendimit të Sekretariatit të Etikës, i gjithë grupi parlamentar i PD-së vendosi që të ishte sot në seancë plenare me synimin për të bllokuar punimet e Kuvendit.
Ky ishte vendimi i marrë dje në mbledhjen e grupit parlamentar. Kreu i tyre, Gazmend Bardhi, u shpreh se është antiligjore që deputetët të mos lejohen në vendin e tyre të punës. Ai përjashtoi ashtu si kolegët e tij, mundësinë për bojkot parlamentar. Bardhi bëri të qartë se aksioni opozitar do të vijojë, ndërsa siguroi se ditën e sotme pavarësisht pengesës që mund t’u vihet përpara, do të jenë në seancë. Sipas tij, deputetët demokratë edhe pse të përjashtuar, do të tentojnë të futen në seancën parlamentare.