“Shqipëria është një vend që na pëlqeu shumë, kryesisht falë pritjes së ngrohtë të shqiptarëve, por jo vetëm”. Kjo thuhet në një artikull të botuar në blogun francez “Mi-fugue, mi-raison”.
Nga korriku deri në gusht, ne udhëtuam për pak më shumë se një muaj në Shqipëri. Zbuluam një kulturë të ruajtur me krenari, një larmi peizazhesh magjepsëse e shumë qoshe të qeta, edhe gjatë muajit korrik. Vetëm bregdeti i Adriatikut është i populluar me turistë gjatë verës.
Këshilla jonë, nëse vini në këtë stinë, do të ishte të largoheni nga deti dhe të favorizoni fshatrat dhe malet në pjesën tjetër të vendit, aty ku për mendimin tonë është përqendruar gjithë sharmi i Shqipërisë.
Qyteti i Beratit: 2 ditë
Ne zgjodhëm qytetin e Beratit si destinacionin tonë të parë, i njohur si më i bukuri në Shqipëri dhe vështirë se mund të kishim ëndërruar për një mënyrë më të mirë për të nisur udhëtimin tonë. Lagje të vjetra të adhurueshme, shtëpi tipike prej guri, një kala e vjetër dhe pamje panoramike, çfarë mund të kërkoni më shumë?
Parku Kombëtar i Llogorasë: 2 ditë
Rrugës drejt jugut, ndaluam nën hijen e pishave të larta të maleve të Llogorasë. Kemi shijuar panoramën e ecjes sonë në majat po aq sa edhe atmosferën e qetë të bujtinës tonë në pyll.
Riviera Shqiptare: 2 ditë
Riviera është pseudonimi i pjesës së bregdetit shqiptar që ndodhet midis Dhërmiut dhe Sarandës. Më në fund, ndaluam në qytetin e vogël të Himarës dhe zbuluam… një rajon me një vijë bregdetare verbuese e kodra të gjelbra që zhyteshin në dallgët bruz. Adhuruesit e qetësisë, rekomandohen të mos e vizitojnë vendin gjatë pikut te sezonit, kur plazhet janë të mbushura me njerëz.
Qyteti i vjetër i Gjirokastrës: 3 ditë
Këtu është një fshat i adhurueshëm prej guri i ngjitur në faqen e një kodre që ka ngjashmëri me Beratin: shtëpi tradicionale, një kala, rrugë me kalldrëm, restorante të mira… dhe një atmosferë e butë.
Përmeti dhe ura e Bënjës: 2 ditë
Ne u nisëm drejt lindjes për të arritur në Përmetin e vogël. Këtu vëzhguam jetën lokale dhe u afruam më shumë me banorët, të cilët gjithashtu na ofruan një pritje të paharrueshme. Rreth 15 km larg është ura e bukur e stilit osman e Bënjës, burimet e nxehta dhe kanioni i saj.
Qyteti i Korçës: 4 ditë
Korça na tërhoqi shumë, një qytet modern, i vlerësuar nga shqiptarët, i gjallë dhe i freskët në verë, vendi më i famshëm i prodhimit të birrës.
Pogradeci dhe liqeni i tij: 2 ditë
I ndodhur në buzë të një liqeni të madh, qyteti i Pogradecit me hijeshinë e tij paksa të modës së vjetër tërheq kryesisht turistët vendas gjatë verës. Atmosfera është me natyrë të mirë dhe një aromë e thjeshtë argëtimi noton në breg çdo mbrëmje.
Kryeqyteti Tirana: 7 ditë
Ky është një kryeqytet modern, i mbushur me vende të ndryshme turistike. E pamundur të mërzitesh atje mes muzeumeve të tij magjepsëse historike, tarracave të restoranteve apo kafeneve, koncerteve dhe shëtitjeve në malin më të afërt. Tirana është ndoshta një nga kryeqytetet e vetme europiane ku banorët nuk dezertojnë në verë.
Shkodër: 4 ditë
Në veri të Tiranës, Shkodra është përgjithësisht pikënisja për një udhëtim në Alpet Shqiptare. Por jo vetëm kaq. Ne zbuluam qytetin dhe rrethinat e tij: një shëtitje në kala dhe mbi të gjitha një shëtitje qetësuese me biçikletë përgjatë liqenit të Shkodrës, pothuajse në kufirin e Malit të Zi.
Alpet Shqiptare: 3 ditë
Këtu është pika kryesore e udhëtimit tonë në Shqipëri: malet e larta në veri të vendit. Përfunduam një udhëtim të mrekullueshëm treditor, i cili nisi me një shëtitje me varkë në liqenin e Komanit dhe peizazhet e tij magjepsëse përpara se të vazhdonim me ecjen e famshme ditore midis Valbonës dhe Thethit, dy fshatra të vegjël të largët. Seriozisht, ky cep i Shqipërisë është ndër malet më të bukura të Europës.
Durrës: 2 ditë
Me kullat e rreshtuara buzë detit dhe portin e tij tregtar, ne zbuluam disa rrënoja romake, panairin në kalatë dhe xhaminë e rrethuar me palma në sheshin qendror.