Në Luksemburg sot do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian. Një hap i shumëpritur dhe i bllokuar prej 1 viti nga vetoja greke, që e kushtëzoi miratimin e datës për këtë takim me lirimin nga burgu të Fredi Belerit.
Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Rama, kryenegociatorja Majlinda Dhuka si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.
Në tryezë për palët shqiptare do të jenë edhe të gjithë zv.ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e sotme, të njohura si “Themeloret”. Çdo shtet ka një agjendë të ndryshme të negocimit dhe Shqipëria do ta nisë këtë proces me grupkapitujt me “Reformën e administratës publike”, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, “Drejtësia, liria dhe siguria”, “Kriteret ekonomike”, “Prokurimi publik”, “Statistikat”, “Kontrolli financiar” si dhe “Funksionimi i institucioneve demokratike”.
Ky grupkapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Ndërkohë, dita e nesërme shënon edhe mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Praktika e Bashkimit Europian është e tillë që me grup-kapitullin që hapen negociatat, ato janë edhe kapitujt që mbyllet në fund të procesit të integrimit. Ecuria e përmbylljes së tyre do të varet nga ritmi i ekipit negociator shqiptar.
Kroacia, shteti i fundit që është bërë anëtar i Bashkimit Europian më 2013, hapi kapitujt e parë në 2006. Data 15 tetor e vitit hyn në historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me Brukselin si moment kur vendit tonë i mundësohet nisja e shqyrtimit të grup-kapitujve të parë, ato për çështjet themelore. Një rrugë e gjatë që nis me nënshkrimin në vitin 1991, kohë kur Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian.
Pas 15 vitesh, në 12 qershor të vitit 2006, vendi ynë arriti të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. BE është në këto tri dekada donatori më i madh financiar i Shqipërisë. U deshën tri vite që më 28 prill të vitit 2009, në Pragë, gjatë presidencës çeke, Shqipëria të aplikonte për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ndërkohë në muajin dhjetor të vitit 2010 u materializua edhe liberalizimi i vizave për shqiptarët në zonën Shengen. Pas pesë vitesh pritjeje, më 24 qershor 2014, Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është ndikuar ndjeshëm edhe nga dinamikat e zhvillimeve në gjirin e vetë Bashkimit Evropian.