Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vizituar sot në burgun e Fierit deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili po vuan dënimin me një vit burg për kallëzim të rremë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se ky takim e bindi edhe më shumë se burgu politik vetëm e ndez frymën e ndryshimit dhe përmbysjen e juntës në fuqi.

Meta thotë se ka qenë i shoqëruar edhe nga anëtari i Kryesisë të Partisë së Lirisë, Avokat Genc Gjokutaj.

“Krenar për heronjtë e fjalës së lirë, të cilët as në burg nuk e humbasin Lirinë”, thotë Meta.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë i rrëzoi sot Ervin Salianjit kërkesën për pezullimin e dënimit.

Postimi i Metës:

Sot, me kërkesën time, së bashku me anëtarin e Kryesisë të Partisë së Lirisë, Avokat Genc Gjokutaj, takova në burgun e Fierit deputetin tribun të Partisë Demokratike dhe opozitës, z.Ervin Salianji, i cili po vuan burgun politik të Narkoshtetit.

Takimi ishte shprehje e solidaritetit kundër Narkoregjimit në fuqi dhe Narkodrejtësisë.

Ky takim më bindi edhe më shumë se burgu politik vetëm e ndez frymën e Ndryshimit dhe përmbysjen e juntës në fuqi.

Krenar për heronjtë e fjalës së lirë, të cilët as në burg nuk e humbasin Lirinë.