Sezoni turistik në Durrës vijon ende, megjithëse jemi në gjysmën e dytë të muajit tetor. Grupe turistësh nga vende të ndryshme të botës vizitojnë çdo ditë qendrën historike të qytetit, monumentet e trashëgimisë kulturore apo dhe vijën bregdetare duke shfrytëzuar në maksimum motin e ngrohtë.

Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Artan Luku, ky sezon ishte ndër më të suksesshmit në të gjitha aspektet.

“Nga komunikimet që ne kemi me operatorët turistikë, ata që janë anëtarë të Dhomës së Tregtisë, sezoni filloi jo mirë dhe vazhdimi mund të themi që mesi i muajit korrik dhe deri në ditët e sotme mund të konsiderohet një nga sezonet shumë të suksesshme, jo vetëm përsa i përket numrit, por edhe cilësisë së pushuesve”.

Mungesa e plazheve publike ishte një nga problematikat më të ndjeshme të sezonit veror dhe nisma e qeverisë për një ndryshim thelbësor të procesit të dhënies së plazheve tek privati mirëpritet nga operatorët turistikë.

Meraku i tyre është mirëmenaxhimi që duhet t’i bëjë pushteti vendor hapësirave të rërës që do të destinohen për plazhe publike.  

“Këtë sezon kemi vënë re që kërkesa për plazhe publike ka qenë goxha e lartë. Vitin e ardhshëm kërkohet një impenjim më shumë nga të gjitha bashkitë e qyteteve turistike, sepse , ato përveçse duhet të menaxhojnë në mënyrë të mirë pastrimin duhet të menaxhojnë në mënyrë të mirë edhe shfrytëzimin e këtyre hapësirave publike dhe të mos lejojnë personat, që privatizojnë pronën publike”,- thotë Eduart Xhepa nga Shoqata e Turzimit në Durrës.

Bërja e një analize të thelluar të ecurisë së sezonit turistik për të korrigjuar problematikat e konstatuara në terren mbetet detyrë e institucioneve përgjegjëse. Ndërkohë për biznesin ato janë mjaft të qarta dhe ndërhyrja duhet bërë në kohë, në mënyrë që të evitohen në sezonin e ardhshëm.

“Nevojitet shtimi i numrit të pikave të informacionit turistik, sepse kanë munguar. Kanë shumë nevojë turistët për këto pika. Ndërsa e dyta duhet patjetër të përmirësohet transporti urban dhe oraret duhet të zgjaten deri pas mesnatës, sidomos në pikun e sezonit turistik (qershor, korrik, gusht),- thotë Xhepa.

Ndërkohë kreu i Dhomës së Tregtisë evidenton një tjetër problematikë.

“Ndihet një mungesë e theksuar e organizimit të pushtetit lokal për të bërë të mundur vizitat në lokacionet e tjera përveç bregut të detit. Durrësi nuk është i lidhur me pikat historike. Një turist e ka të vështirë të ndjekë me Google Maps apo me të tjera mënyra itinerarin për të shkuar për të vizituar kalanë e Ishmit apo kalanë e Kepit të Rodonit apo vlera të tjera historike, që zona e Durrësit ka dhe që mund t’u ofrojë turistëve.”,- thotë Luku.

Durrësi edhe këtë sezon që po shkon drejt fundit vijon të mbetet kryeqyteti shqiptar i turizmit dhe sipas autoriteteve vendore mbi 1.5 milionë turistë e kanë vizituar qytetin 3000-vjeçar deri në muajin shtator.

M.B.