Ukraina po kërkon një ftesë për tu anëtarsuar në NATO përpara se Joe Biden të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Këtë e ka bërë të ditur ambasadorja e e Kievit në NATO Nataliia Galibarenko.

“Një ftesë Ukrainës në këtë moment është një sinjal politik,” tha ajo gjatë një interviste për gazetarët e Reuters në Bruksel duke argumentuar se kjo do të mbante larg mosmarrëveshjeve Kievin dhe Moskën.

Anëtaresimi i Kievit në aleancën ushtarake më të madhe në botë përbën një vijë të kuqe për Rusinë, por Ukraina këmbëngul se duhet t’i bashkohet aleancës për tu mbrojtur kundër çdo agresioni të ardhshëm rus.

Shumica e vendeve anëtare të NATO-s, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë treguar gatishmëri për t’i bërë Ukrainës një ftesë zyrtare për tu anëtarësuar në NATO në këtë fazë.

Zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm në SHBA krijojnë pasiguri të madhe për Ukrainën pasi Uashingtoni ka qenë ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake të Kievit për luftën kundër Rusise. Teksa Kamala Harris ka thënë se do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, ish-presidenti republikan Donald Trump nuk ka qenë i qartë se si do ta trajtonte luftën.

Ndërkohë, në terren Ukraina u sulmua nga mbi 130 dronë në goditjen e fundit ku mbrojtja ajrore e Kievit mundi të  rrëzonte vetëm 51 dronë.