Propozimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të paguar punonjësit sezonalë të kësaj industrie edhe në muajt jashtë sezonit mirëpritet nga këta të fundit, por edhe operatorët turistikë.

Gjergji Plasa është një nga studentët e shumtë, që punojnë prej vitesh në industrinë e turizmit. Për të, punësimi sezonal ishte një zgjidhje ekonomike për të mbuluar shpenzimet mujore dhe ato të shkollimit. Por vështirësitë nisnin, në momentin kur shkëputej marrëdhënia e punës.

“Vështirësia kryesore është sepse ajo punë për ne ka qenë vetëm 3-mujore dhe pas 3 muajve ishim të detyruar që të kërkonim një mundësi tjetër punësimi për të siguruar ato të ardhura mujore që na duheshin për të vazhduar universitetin, ose për shpenzimet tona personale”.- tregon ai për “DurrësLajm”.

Zgjatja e sezonit turistik nga maji në tetor dhe numri i lartë i turistëve të huaj, që frekuentojnë strukturat hoteliere të bregdetit të Durrësit rrit ndjeshëm numrin e punonjësve sezonalë në këtë sektor. Por largimi i tyre nga puna gjatë sezonit të ulët është një problem për operatorët turistikë, pasi jo gjithë punëmarrësit rikthehen sezonin e ardhshëm dhe nevojiten trajnime të reja për punonjësit e rinj.

“Gjatë sezonit veror kemi një shtesë me rreth 30 punonjës, të cilët pjesa më e madhe janë studentë. Nëse kjo nismë e qeverisë do të finalizohet do të ishte shumë mirë, sepse çdo hotel do të ofronte një shërbim më të mirë”,- thotë Blerim Norja, administrator i njërës prej strukturave hoteliere më të frekuentuara në plazhin e Durrësit.   

Për punonjësit e sektorit, por edhe operatorët turistikë propozimi i përfshirë në strategjinë e re e turizmit 2024-2030 duhet të bëhet realitet sa më shpejt.

“Kjo është ndër nismat më të mira që qeveria ka ndërmarrë, pasi pikë së pari është një suport për të gjithë studentët”.

“Kjo është një zgjidhje perfekte për të arritur të përmirësohet dhe të marrë zgjidhje njëherë e përgjithmonë problemi i fuqisë punëtore”.

Prej kohësh, Unioni Turistik Shqiptar dhe Shoqatat e Turizmit e kërkonin një nismë të tillë nga qeveria, pasi vitet e fundit ky sektor është përballur me një mungesë të vazhdueshme të fuqisë punëtore. Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur mungesa e punonjësve vendas, i detyronte operatorët turistikë të punësonin personel nga vendet aziatike.

M.B.