Për më shumë se 3 javë me radhë, një grup arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë dhe universiteti i Chieti-Pescara-s kanë zhvilluar ekspeditën e radhës në amfiteatrin e Durrësit.

Gërmimet në pjesën jugore të monumentit më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të qytetit 3000-vjeçar kanë zbuluar një furrë qeramike dhe disa varre foshnjash dhe individësh të rritur, të cilat hedhin më shumë dritë mbi transformimet, që ky monument ka pësuar gjatë mesjetës së hershme dhe të vonë, pasi ndaloi së funksionuari si amfiteatër për dyluftimet me gladiatorë.

Gërmimet kanë konfirmuar përdorimin e kësaj zone për qëllime banimi si dhe përdorime artizanale.

“Deri tani kemi identifikuar një furrë për prodhimin e qeramikës, e cila në fazën e saj
të ruajtjes daton në shek. XII. Ndoshta përdorimi i kësaj furre për prodhimin e qeramikës ka
patur një jetë disi më të gjatë, duke filluar që në shekullin e 11-të.

Gjithashtu me mjaft interes është edhe zbulimi i disa varreve kryesisht në dy galeritë 8 dhe 9 që i përkasin shek. IX-X dhe janë varre fëmijësh të vegjël. Gjithashtu janë zbuluar edhe varre të tjera të individëve më të rritur që i përkasin shek. VI-VII.“,- thotë për “DurrësLajm” arkeologia Elvana Metalla, që udhëheq gërmimet në terren.

Ekspeditat arkeologjike italo-shqiptare kanë qenë të përvitshme në amfiteatër, me përjashtim të vitit 2020, kur, për shkak të pandemisë Covid-19, grupi i arkeologëve nga Italia nuk erdhi në Durrës.

Ekspeditat e nisura që në vitin 2004 kanë për qëllim të nxjerrin në dritë nga nënshtresat e amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II e.s. të tjera dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit.

Ndër vite, ekspeditat arkeologjike kanë zbuluar faza të rëndësishme post-antike dhe struktura të sitit të rëndësishëm arkeologjik.

M.B.