Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Skrapar, pasi në banesën e tij u gjetën 6.4 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.

“Sekuestrohen 6.4 kg Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Arrestohet në flagrancë 33-vjeçari që kishte prodhuar lëndën narkotike dhe mbante armën, pa leje, në banesë. Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit dhe në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, finalizuan operacionin policor të koduar “Mollas“, njofton policia.

I arrestuari është identifikuar me inicialet L. M., 33 vjeç, banues në fshatin Mollas.

Nga kontrollet, në afërsi të banesës së tij, janë gjetur 6.4 kg Cannabis Sativa, gati për shitje, ndërsa në banesë i është gjetur 1 armë zjarri pushkë me krehër dhe fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.